Shkruan Albert Vataj
Rrëfimi i Giorgia Melonit, Kryeministres së parë grua në historinë e Italisë, është më shumë se një copë jete personale, është një dëshmi e heshtur se forca nuk është e lindur, por e përftuar përmes përballjes me dhimbjet dhe plagët e jetës. Është një kujtesë se edhe gratë që ngjiten në majat më të larta të pushtetit mbeten, në thelb, bijat e nënave të tyre, motrat e motrave të tyre, nënat e fëmijëve të tyre, që ndjejnë, që vuajnë, që mbajnë brenda një univers të tërë emocionesh njerëzore.
Në një kohë kur politika shpesh perceptohet si një arenë e ftohtë, e pamëshirshme dhe e distancuar nga realitetet e përditshme njerëzore, Meloni na kujton se pas podiumit dhe fjalimeve ndodhet një njeri, një grua që është rritur nga një nënë e vetme, që ka ndier mungesën e një babai, që ka përjetuar përçmim dhe stigmatizim në adoleshencë, dhe që, mbi të gjitha, ka dashuruar dhe dridhur si çdo nënë kur është përballur me urrejtjen ndaj krijesës së saj më të shtrenjtë: vajzës së saj, Ginevra.
Ka një thellësi prekëse në rrëfimin e saj, nga frika për të zhgënjyer nënën, tek ndjenja e fajit se nuk e mbrojti dot bijën nga fjalët e liga. Pikërisht aty, në këtë kontrast mes rolit të një lidereje të pathyeshme dhe të ndjeshmërisë së një gruaje që qan në heshtje, ndërtohet profili i një politikaneje kalibër. Nuk janë vetëm fjalimet në parlament apo qëndrimet në tryezat ndërkombëtare që e formësojnë staturën e saj, është edhe ajo heshtja e thellë që ka ndjerë në mbrujtjene vetmisë, vendimet e vështira si vajzë, sfidat e nënës që nuk mjafton t’i përgjigjet vetëm publikut, por edhe thirrjes së brendshme të dashurisë për fëmijën.
Meloni, si shumë gra të tjera në politikë, përfaqëson një gjeneratë që ka mësuar ta ndërtojë fuqinë nga plagët. Të mos të turpërohet nga ndjeshmëria, por ta bëjë atë armë dhe busull. E njëjta brishtësi që dikur e bëri të ndjehej e përjashtuar, e përçmuar, është ajo që sot e lejon të lidhet më thellë me njerëzit, me ata që e ndjekin, por edhe me ata që nuk bien dakord me të.
Në një intervistë për programin “Verissimo” në vitin 2021, Meloni ka theksuar rëndësinë e nënës së saj në jetën e saj, duke thënë: “Nëna ime ka përballuar shumë vështirësi, ka rritur mua dhe motrën time e vetme. Ia detyroj gjithçka asaj”. Ajo gjithashtu ka ndarë përvojat e saj gjatë shtatzënisë me Ginevrën, duke përmendur se ka marrë komente negative dhe urrejtje nga disa individë, gjë që e ka lënduar thellë.
Në intervista të tjera, Meloni ka folur për marrëdhënien e saj me babanë, i cili e ka lënë familjen kur ajo ishte shumë e vogël, dhe për vendimin e saj për të ndërprerë kontaktet me të gjatë adoleshencës. Ajo gjithashtu ka diskutuar për sfidat e adoleshencës dhe përvojat që e kanë bërë më të fortë.
Në një intervistë për revistën “Chi”, Meloni ka shprehur shqetësimin e saj për faktin që vajza e saj Ginevra është fëmijë i vetëm, duke thënë: “Jam shumë e lidhur me motrën time, për këtë arsye më duket e çuditshme që Ginevra është fëmijë i vetëm”.
“Ndonjëherë ende më tremb gjykimi i nënës sime, është një nga të paktat persona që me të vërtetë nuk dua ta zhgënjej.
Nëna ime ka përballuar shumë vështirësi, na ka rritur mua dhe motrën time e vetme. Ia detyroj gjithçka asaj: ajo është ende personi me të cilin ndiej nevojën fizike për të folur, ajo me të cilën mund të ndaj çdo gjë pa mbajtur asgjë brenda vetes.
Babai im na la kur isha shumë e vogël, shkoi të jetonte diku tjetër dhe ne e shihnim shumë rrallë. E kujtoj mirë momentin kur, si adoleshente, vendosa të ndërprisja çdo marrëdhënie me të. Kur u largua përgjithmonë, e kuptova se për mua ishte bërë tashmë një i huaj.
Adoleshenca nuk ishte e lehtë: më vendosnin nofka mizore, por në fund kjo më ndihmoi të bëhesha më e fortë dhe të vija në pikëpyetje vetveten.
Në punën time, kritikat janë normale. Tani jam mësuar, përpiqem të injoroj ofendimet. Por ajo që më ka lënduar vërtet, ishte urrejtja që mora kur njoftova shtatzëninë e Gjenevrës. Të dish që dikush i dëshironte të keqen më ka bërë keq, u ndjeva fajtore që nuk arrita ta mbroja.
Jam shumë e lidhur me motrën time, ndaj më duket e çuditshme që Gjenevra është fëmijë i vetëm. Kur bëhesh nënë, qendra e jetës tënde ndryshon. Fëmijët të bëjnë të zbulosh emocione të reja, më të fuqishme se çdo gjë tjetër.” është shprehur Meloni.
Rrëfimi i saj na kujton një të vërtetë thelbësore, nuk ka kontradiktë mes të qenit i fuqishëm dhe të qenit i ndjeshëm. Përkundrazi, është pikërisht kjo ndjeshmëri, e kalitur në sprova, në mall, në dhimbje, ajo që bën dallimin mes një figure publike dhe një lidereje të vërtetë.
Në zemrën e çdo gruaje të fortë fshihet një kujtim i hidhur, një mungesë e pashlyer, një lot i pashqitur, por nga ato rrënjë të padukshme rritet një kurorë vendosmërie që, si në rastin e Giorgia Melonit, mund të përqafojë edhe një komb.