Washington Post: Mbyllet faqja e internetit e USAID, Musk nis operacionin për çmontimin e agjencisë

0

Faqja e internetit e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar ishte jashtë linje gjatë fundjavës, ndërsa administrata Trump vijon të rishikojë të ardhmen e saj dhe ndihmën e huaj amerikane në përgjithësi.

Masa vjen pas një urdhri ekzekutiv të Presidentit Donald Trump muajin e kaluar për të ndalur dhe rivlerësuar ndihmën e huaj të SHBA-së. Miliarda dollarë nga ndihma e SHBA-së që zakonisht bashkërendohen nga agjencia e pavarur, u ngrinë dhe disa zyrtarë të lartë u pezulluan.

Urdhri bëri që shumë përfitues të ndihmës, veçanërisht në Afrikë dhe në Ukrainë, të mbeteshin thatë. Agjencia ofron mbështetje për çdo gjë, nga projektet humanitare e nismat shëndetësore e deri te ndihma ndaj fatkeqësive.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka lëshuar një përjashtim nga ngrirja për disa “ndihma humanitare për shpëtimin e jetës” ndërsa po kryhet një rishikim tre mujor për të përcaktuar se cili nga mijëra projektet e ndihmës së huaj të SHBA-së përputhet me vizionin e Trump.

Programet e agjencisë gjithashtu përfshihen shpesh në prioritetet kryesore të politikës së jashtme, të tilla si ndihma për tranzicionin energjetik të vendeve, konkurrencën me Kinën në projektet e infrastrukturës dhe kundërshtimi i ndikimit të Moskës dhe Pekinit.

Nën administratën Biden, SHBA dhe aleatët e saj të G7 ranë dakord për disa nisma për të konkurruar me programin e stërmadh të infrastrukturës së Kinës dhe ndikimin kudo, nga Afrika në Amerikën Latine dhe Azi.

Administrata e re e sheh ndihmën e huaj si bamirësi dhe nuk merr parasysh se si ajo u shërben interesave gjeopolitike të SHBA-së, tha një diplomat nga një vend i G7, i cili nuk pranoi të identifikohej.

Disa raporte, duke përfshirë Reuters dhe New York Times, sugjeruan se agjencia së shpejti mund të futet në Departamentin e Shtetit sipas planeve të Trump.

Ligjvënësit demokratë paralajmëruan në rrjetin social X, ku llogaria kryesore e USAID-it u errësua gjatë fundjavës, se çdo veprim për të eliminuar pavarësinë e agjencisë do ishte i paligjshëm, kundër interesave të SHBA-së dhe nga kjo do përfitonte Kina.

Presidenti Trump emëroi Musk, njeriun më të pasur në botë, si kreun e DOGE, një zyrë e re qeveritare që fillimisht u premtua të krehte gjithë burokracinë federale në kërkim të shkurtimeve të thella.

Në ditët që kur Trump mori detyrën, Musk ka kërkuar të ushtrojë kontroll gjithëpërfshirës mbi funksionimin e brendshëm të qeverisë së SHBA-së, duke emëruar zëvendësues për një kohë të papërcaktuar në disa agjenci, përfshirë Zyrën e Menaxhimit të Personelit, e cila në thelb merret me burimet njerëzore federale, dhe Administratën e Shërbimeve të Përgjithshme , e cila administron pasuri të paluajtshme.

DOGE tani është vendosur në një zyrë të Shtëpisë së Bardhë e njohur më parë si Shërbimi Dixhital i SHBA-së, por tani i quajtur Shërbimi DOGE i SHBA-së dhe ka shikueshmëri të gjerë në teknologji në gjithë qeverinë.

Lëvizja e administratës për të larguar zyrtarët e lartë të sigurisë në USAID vjen një ditë pasi asistentët e DOGE të Musk fituan qasje në një sistem të ndjeshëm të Departamentit të Thesarit përgjegjës për triliona dollarë në pagesat e qeverisë amerikane pasi administrata dëboi një zyrtar të lartë të departamentit, sipas tre personave që folën në kushte anonimiteti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu