Shkruan Basir Çollaku
Në vendimin e Gjykatës së Posaçme për marrjen e masave të sigurisë arrest me burg për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deputeten Monika Kryemadhi, shfaqet jo pak herë në tekst e kontekst Edi Rama. Por gjithnjë gjendet një por, ai POR në frikën e prokurorëve, për të mos shkuar atje ku gjendet emri Kryeministrit.
Në faqen 43 të vendimit, paragrafi i fundit ndër të tjera thuhet, “.. Në datën 11 tetor 2014, Monika Kryemadhi i shkruan Adrian Shatkut, se kishte takuar Ramën dhe ai i kishte thënë që ta bënin urgjentisht, por nga mesazhet nuk del e qartë se për çfarë bëhet fjalë. Adriani i përgjigjet se ky është lajmi më i mirë i vitit ..” Dhe sapo kapërcen këtë emër, prokuroria nis menjëherë të kthjellohet e qartësohet se çfarë duhet të bëjë. Për të rritur cilësinë e të kuptuarit se për çfarë bëhej fajlë, çfarë kishte thënë kryeministri, të bëhet urgjentisht, prokurorët, flasim gjithnjë për ata të pavarurit e Strukturës së Posaçme, duhet detyrimisht të kishin pyetur Edi Ramën. Atë premtues-urdhëruesin e bërjes urgjent të punës së pakuptueshme nga hetuesit.
A mundeshin Altin Dumani, Arben Kraja, Sotir Kllapi, drejtuesi, ish drejtuesi dhe prokurori, të dërgonin ftesë Edi Ramës, ngaqë kishin hasur vështirësi për të kuptuar një ushtrim të ndikimit të paligjshëm, apo të ligjshëm nga ana e tij, atë çka kreu i ekzekutivit me gjithë dëshirën e vullnetshme e kishte konsideruar si diçka urgjentë për ta bërë. Ai mundej ta saktësonte. Ndoshta do përgjigjej se kishte harruar. Përsëritet situata e panikut të prokurorisë, për të përmendur emrin e shefit të qeverisë, sikur ai të ishte shefi i tyre.
Aty kur thonë te dosja “Partizani” se ndryshimi i destinacionit të pronës, nga mjedis sportiv në zonë banimi, veprimi thelbësor i ndodhjes së çdo veprimi, është kryer e firmosur nga kreu i Këshillit të Territorit të Bashkisë së Tiranës, ku viti përkon me Edi Ramën, sa për ndihmë kujtese Strukturës së sekëlldisur. Nuk e kanë thirrur dot të dëshmojë, një ftesë e detyruar procedurialisht.
Ky mosveprim natyrisht është shkelje e hapur. Njëlloj bënë edhe me dosjen 184 të krimit elektoral të vitit 2016 në Dibër, kur Rama ishte pjesë përgjimesh. Në atë bisedë telefonike të kryeministrit teksa fliste me Keshin e shtabit zgjedhor, duke rakorduar porositë e dhëna nga ai dhe rezultatet e votive të mbledhura nga çeta e pushtetit. Nuk ftohet as për superdosjen qindramilionë euroshe të inceneratorëve ku është firmosës i jo pak akteve.
As për dosjen Rama-McGonogal, korruptimit të drejtorit të kundërzbulimit të FBI, për tendera, licenca biznesi, gjobëvënie, histori shërbimesh, procedim penal regjistruar në janar 2022 në Prokurorinë e Posaçme. As për dosjet e tenderave të AKSH 43 milionë euro, Eco Park 13 milionë euro, ku gjenden të përmendur familjarë të tij, apo “Xibraka” e kokainës nga 2014, e rikthyer në hetim në 20024, ku hetohet vëlla Olsi për trafik ndërkombëtar narkotikësh. As nuk munden të veprojnë për kallzimin publik, për çështjen në të cilën vëllai e familjarët, po sipas deklarimit të tij përfitojnë 22.4 hektarë tokë në Vuno, ku akuzat kanë sjellë përshirjen qeveritare me ndryshime ligjore e vendime të Këshillit të Minsitrave.
Vetëm për akuzat, çështje ku del kryeministri dhe të afërmit e tij, duhet SPAK të punojë me kohë të plotë një mandat, pa u marrë me dosje të tjera. Por për momentin ata janë pak duarlidhur nga ambasadat..