Rëndom dëgjon “demokratë” që merren me politikën e ditës, opinionist, gazetarë të paguar nga paratë e korrupsionit, shikon e dëgjon pjesën më të madhe të mediave private të oligarkëve të rrjeshtuar kundër qeverisë në kor, duke artikuluar pak a shumë kështu: Vendi ynë është nën diktaturë, të Ramës, të birit të Kristaqit, që është kreu i mafies dhe i socialistëve-trashëgimtarë të komunistëve!
Po si është e vërteta?!
Shqipëria është një vend pluralist. Me ekonomi tregu të lirë. Me media të lira, si të shkruara ashtu edhe vizive.
Madje, pjesën më të madhe të tyre e kontrollon opozita, duke i rënë qeverisë.
Sigurisht që edhe shumica politike ka mediat e saj, por në raport me opozitën kontrollon më pak se ajo.
Atëhere, përse nuk ngjit propaganda e opozitës tek elektorati kur mediat e tyre janë të lira dhe shprehin çfarë të duan dhe si të duan?!
Kushti numër një, po të ishte diktaturë, nuk do kishim parti opozitare, nuk do kishte gazeta, portale, radio e televizione. Nuk do të dëgjonim çdo ditë në kor nga 50 vetë duke sharë e masakruar sipas tyre qeverinë.
Diktaturën e kemi provuar. E kemi njohur si ka qënë.
Përse atëhere bëjnë viktimën pala opozitare?!
Përse nuk shohin dhe analizojnë çfarë çalon tek opozita, përse baruti i saj nuk po “shkrep” në popull, e për më tepër në mosbindjen civile?!
Akoma nuk e kanë kuptuar opozitarët, sidomos PD-ja zyrtare deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Lartë, se me Berishën me Nokën, me Palokën e paloqa të tjerë rrugët janë të mbyllura?
Dështimet e tyre nuk mundet dhe nuk është aspak e drejtë ti faturohen “diktaturës” në demokraci, në një shtet anëtar të Nato-s.
Qytetarët nuk janë budallenj, të mos e dallojnë diktaturën apo gënjeshtrat dhe mashtrimet. “Ushqimi” i përditshëm që opozita hedh në opinion ka filluar të helmojë edhe vetë demokratët e foltorës.
Hallet përsonale e familjare të Berishës, Metës e dikujt tjetër me gjithë anatemimet, shpifjet, djegiet e karrigeve në parlament, bllokimin e seancave parlamentare, përdorimin e sendeve të ndaluara dhe përdorimi i dhunës ndaj forcave të Gardës apo policisë, nuk përbëjnë aspak kritere për mosbindje civile. Ndaj po dështojnë aksionet revolucionare të PD-së, si në sheshe dhe në parlament, duke u zvogëluar numri i protestuesve nga dita në ditë.
Duke qënë të pa aftë për të thënë të vërtetën në sy, duke marshuar më shumë pa tru se me bindje, PD-së dhe opozitës në tërësi nuk i mungojnë vetëm numrat, por në radhë të parë një “pol të urtësh” që dijnë të prodhojnë politikë, jo diktaturë…