Ujdia Berisha -Rama atentati i radhës ndaj demokracisë!

0

Shkruan Azgan Haklaj

Është legalizuar tashmë biles edhe noterizuar me pulla e vula gjykatash ujdia e neveritshme Berisha -Rama për protagonizëm e hegjemoni në vijim me opozitën dhe mazhorancën politike në vend.

Një akt i rëndë tradhëtie e atentati kundër demokracisë dhe principeve themelore të saj.
Është çmenduri juridike po aq sa non sens jashtë ç’do logjike që vendime paçavure si ato te Zhukrit apo gjyqtareve të apelit të dt 11-të qershor 2024 marrin legjetimitet formal duke rrëzuar dhe parimet me elementare te së drejtës.
Janë ngjallur ata që nuk janë më në këtë botë sikundër janë bashkuar posedues vulash partiake për t’ju bashkuar Sali Berishës në inkursionin e tij-kryqezatë për grabitjen e shkatërrimin e Partisë Demokratike!
Nuk kanë mjaftuar paralajmërimet e dezinjimet e aleatëve tanë euroatlantikë dhe asgjë tjetër logjike e juridike që të ndalin këtë ngutje të çmendur të kesaj kaste hajnie e autokracie.
E fabula është e thjeshtë sado vishet e zhvishet me retorikë e kamuflazh:
“O burra te bashkohemi se na mori lumi”.
Kjo eshte sentenca e vërtetë që bashkon Berishën me Ramën.
Argatë të kësaj ujdie që kryekëput ka erë tradhëtie u bënë edhe Gaz Bardhi me shokë e të tjerë që presin poshtē balkonit per tu bashkuar të gjithë tok.
E në këtë rebus nuk ka më asnjë gjë për tu zbuluar:
Berisha -Rama po lëvizin dhe gurët e fundit për të ruajtur status-quonë e pushtetit dhe paprekshmerinë e plaçkës që kanë përfituar në 30 vite.
Kur sheh ujdinë në komisione e kuvend,kur degjon “grindjet”teatrale për “parime” të vjen neveri se sa poshtë ka rënë morali politik dhe sa në rrezik është pluralizmi dhe demokracia.
Të ashtuquajturit mbështetës partiakë në dy kampet jane kthyer në polici private për të mbrojtur çifliqet materiale e politike të agallarëve të demokracisë.
Rithemeluesit nën flamurin e rremë të protestës kundër Erion Velisë riciklojnë Namik Fadile Hotin e ndjerë që marshonte në bulevard me parullën e varur në gjoks për lirimin e Ramiz Alisë.
Por kur situata duket në anën e tyre dhe dëshpëruese për shqiptarët paralelisht e me intensitet, me forcën e organeve të drejtësisë së re të mishëruara në SPAK dhe me veton e deklaruar të aleatëve ka jo vetëm akoma shpresë por dhe fund të sigurt për këtë kastë të shpifur e të rrezikshme.
Ndërsa Berisha ka hapur thesin e grabitur për të blerë ato segmente te korrutuara të medias e të drejtësisë prova e deshmitarë okularë po sistemojnë faktet përfundimtare për ta shperngulur nga Ballkoni në qeli për terror shtetëror dhe vrasje.
Teksa Edi Rama pozon me atlete të bardha përpara liderëve perëndimorë edhe pjesa tjetër e bashkëpunëtorëve dhe qeverisë po mbajnë radhën plot djersë përpara Prokurosisë së Posaçme për të dhënë llogari për të gjithë këtë baterdi.
Ky klan mafioz që ka uzurpuar partitë politike dhe vendin është i gatshëm që për interesat e veta të pengojë ç’do lloj përparimi e integrimi biles dhe të ndalojë e ta përjashtojë Shqipërinë nga negociatat me BE-në.
Por pozita gjeostrategjike e vendit tonë, ndërthurja e interesave euroatlantike e vetë gjeneza jonë perëndimore si komb do të djegin kartën e fundit të mbijetesës së tyre.
Euroatlantizmi nuk është thjesht grupacion e emërtim lingustik por frymë që i nevojitet këtij vendi sot më shumë se kurrë.
Ndaj sa me e ashper të jetë retorika e establishmentit dhe egërsia e tyre po aq e madhe është frika e tyre dhe akoma më e madhe shpresa.
Demokratët Euroatlantikë të Shqipërisë dhe aleatët e tyre ndonëse të ndërgjegjshëm për barrikadën e fortë që po ju serviret nga emisarët e Katovicës jo vetëm nuk do të tërhiqen por do të vazhdojnë qëndresën pa u lëkundur nga kolonat e parimeve të shenjta të demokracisë.
Nuk ka dhe s’mund të ketë rrugë tjetër për kombin tonë vetëm euroatlantizmi ndaj si misionarë të palëkundur do ta çojmë në fitore alternativën tonë, e cila është garanci jo vetëm e mirëqeverisjes por dhe e vetë integritetit të vendit.
Duke parë intesitetin e marrëzisë së dallkaukëve të tranzicionit nuk kam si të shmang sentecën e një filozofi e ta adaptoj me qëndrimin e demokratëve euroatlantikë
“Nuk është e rëndësishme të ngutesh e të vraposh, e rëndësishme në politikë është të rezistosh, të qëndrosh e të mos ndalosh…”
Ta harrojnë ustallarët e së keqes se ne ndalojmë, intimidohemi e shantazhohemi.
Koha do jetë prova jonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu