Rasti “Trump” dhe ‘cubi’ Sali Berisha!

0

Shkruan Ilir Demalia

Dëgjoj vazhdimisht në studiot televizive të tallavasë mediatike, se Donald Trump ka 38 akuza dhe është i lirë. Në krye të këtij “argumenti” të telenovelës së “heroit” Sali Berisha në luftën kundër “komunizmit”, si i vetmi përfaqësues i denjë i trashëgimisë komunisto-bajraktariste si formim dhe praktik, janë çeta politike e Saliut dhe llastiqet-palestineze të Syrit Vigjilent të Qim-Zenit.

Pse nuk qendron ky krahasim që sillet si argument?!

Presidenti i SHBA u është përgjigjur të gjitha thirrjeve të gjykatave dhe më 24 gusht 2023, shkoi me këmbët e veta, duke u paraqitur në Burgun e Fulton County në Atlanta Georgia, për t’i marrë shenjat e gishtave dhe fotografinë, si i pandehur për çështjen e zgjedhjeve në vitin 2022 në Atlanta, e po kështu në New York e me radhë.

Pra përtej retorikës politike së bla-bla-blave të Donald Trump se po ndiqet si i “persekutuar” politik, vendimeve të gjykatave u përgjigjet si Çeçua, se e di çfarë e pret, megjithëse ka sëpaku 40 milionë përkrahës Trumpistë.

Berisha prej 30-vjetësh ka bërë CUBIN bajraktaro-klanor, ku nuk u është përgjigjur asnjëherë thirrjeve të drejtësisë. Duke jetuar në delusional-mind të delirit-neurotik, se ky është përmbysësi i komunizmit, kur në të vërtetë është i vetmi komunist që sillet vërdallë dhe nuk pushon 24/7 në banak të Tallavasë-Mediatike. Qahet se media është e kapur nga Rama. Kjo tregon jo vetëm gjendjen e mjerë të këtij njeriu, por edhe mjerimin që ka shoqëruar këtë parti tashmë të ngelur një çetë Haxhiqamiliste e shek XXI, që bën luftë me gjithë botën në një shfaqje që as tragjikomizëm nuk është më. Por vetëm rraskapitje neveritëse.

Rithemelimi apo PD tashmë ka hapur portat për vakinë e një kufome të pashpresë për rigjenerim, sepse Berisha dhe kushdo pranë tij, nuk pranuan të kuptojnë realitetin se jetuan në një gënjeshtër, që duke e përsëritur për 30- vjet, mendojnë se është e vërtetë.

Gënjeshtra është se Saliu me takëmin e tij, as nuk kanë rrëzuar komunizmin, por në të kundërt, vetë Saliu ishte sekretar i partisë me teserën në xhep, dhe të gjithë rreth tij vinin ose nga nomenklatura ideologjike si Instituti i Studimeve të Marksizëm-Leninizmit, ose nga Komiteti Qendror, apo katedrat universitare të lëndës së Marksizmit, ekonomisë politike të socializmit apo Sigurimi i Shtetit. Kjo është arsyeja që kjo lloj reference e Saliut dhe çetës së tij sot nuk ngjit, se nuk ka të vërtetë dhe kanë kaluar 33-vjet me këtë retorikë që e ka bërë këtë parti një “BUNKER”, si ato Bunkerët e komunizmit që do mbronin Shqipërinë nga çdo sulm i mundshëm i imperializmit dhe revizionizmit botëror.

Thënë këtë, kjo parti nuk mundi as të prodhojë reforma, as të sjellë ide, as besueshmëri. Kjo parti si kjo PD, si kjo sot dhe dje PS, kanë menduar vetëm të gënjejnë me demagogji dhe propagandë dhe tkurrur aq keq sa nuk kanë më asnjë fije morali që t’i besojë kush, përpos militantëve trushpëlarë ose të inkriminuar me pushtetin e tyre në korrupsion dhe përfitime.

Mendoj se rasti Berisha do të jetë fillimi i fundit i një etape të politikës korruptive/kriminale 33-vjeçare të Shqipërisë. Nuk do të jetë rrugë e shkurtër dhe e shpejtë, por do jetë e gjatë dita e mundimshme që do t’i rraskapisë dhe më tej shqiptarët, deri kur të pritet kjo nyje gordiane e krimit me politikën, si fuqi politike e vendit për mbajtjen e kësaj kaste politike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu