Tirania e burrecëve të Tiranës

0

Shkruan Flutura Açka

Të gjithë ju, mjerisht më së shumti burra, që përmendni emrin tim me shkujdesje të plotë nëpër studiot televizive apo kamaret e ekraneve ulur mbi luksin e shtëpive tuaja, me bulçitë të fryra nga nginjja e ndërkeqja politike që ju ka zënë, me krahët e hapur e të kreshpëruar e nënsqetulla që ju mbajnë erë edhe nga ekrani; e që jeni të merakosur shumë për fatin e Partisë Demokratike, edhe ju finët perfidë që bëni lajme me sms të diktuara nga padurimi dhe pabesia, para se të thoni se jam pjesë e kthimit të Lulzim Bashës në Partinë Demokratike, bëni mirë më së pari, në kor ose më vete, t’i shihni të vërtetat në sy: Guxoni t’i kërkoni publikisht zotit Sali Berisha të tërhiqet nga drejtimi i Partisë Demokratike dhe partia të hyjë në reformë tē plotë.
Ndërkohë që ju bënit pallate e vinit pasuri kur të djathtët – edhe të majtët – ishin në pushtet, unë shkruaja libra.

Në kohën kur ju pushtonit ngastra publike për vilat tuaja, unë botoja libra me paratë e xhepit tim, për ta moderuar vitrinën shqiptare.
Ndërkohë që ju ruanit si të joshnit të renë e radhës që shfaqej për punë në derën e redaksisë, unë flisja për demokracinë dhe deformimet që po i ndodhnin asaj nga të majtë e të djathtë.

Ndërkohë që ju hynit në paradhomat e kryeministrave si langonj për ndonjë teke uiski a për t’i kërkuar ta emëronte shef kadastre ndonjë bashkëfshatarin tuaj, unë lexoja poezi shqipe tribunave të botës, duke i shitur botës Shqipërinë e bukur.
Ju jeni bashkëfajtorë në shkatërrimin e Opozitës shqiptare me oportunizmin tuaj, me flirtet tuaja, me paturpësinë tuaj.

Ndaj, për shkak të asaj frike kanunore a korruptive me të cilën jeni mësuar të mbijetoni, nuk guxoni të përmendni emrin e ndonjë burri me të cilin keni besë, apo të përmendni emrin e ndonjë burri me të cilin, a me të cilët Lulzim Basha po u ktheka në parti.

Deri kur ajo parti të bëhet, ju siguroj se do të kem shkuar në një parti tjetër, ku demokracia është e sanksionuar nga ligje të epërme.
Nuk shqetësohem që më përmendni, por që nuk jeni përmendur akoma për dëmin që po i bëni demokracisë shqiptare!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu