Vetëkënaqësia e njërit dhe arroganca e tjetrës e kishin paracaktuar prej kohësh fundin aspak elegant të marrëdhënies mes Edi Ramës dhe Juri Kimit, por emri i Altin Dumanit e nxorri përplasjen nga korridoret e kryeministrisë nëpër portale dhe ekrane, që po ziejnë për këtë sherrnajë.
Amerikanët duan Dumanin në krye të SPAK dhe e duan këtë javë. Një lloj rezistence, kryeministri Rama e shprehu duke thënë se kreun e SPAK nuk e zgjedh ambasada, por ky pohim i tij nuk i kaloi kufijtë e konstatimit. Asgjë më shumë.
Por kush është Altin Dumani? Përse ambasada amerikane është “all in” tek emri i këtij prokurori për drejtimin e SPAK?
Dështimi i parë i ndërkombëtarëve me Dumanin
Fakti që Juri Kim është kaq e drejtpërdrejtë për Altin Dumanin shpjegohet me dështimin që provuan ndërkombëtarët kur ndejtën urtë në 2019 për hir të diplomacisë. Dumani kandidoi për herë të parë për drejtimin e SPAK dhe e kishte edhe atëherë mbështetjen e ndërkombëtarëve. Por fitoi Arben Kraja.
Çfarë ndodhi në votim? Arben Kraja mori 6 vota, ose ndryshe 6 pikë. Dumani mori 4 vota, ose ndryshe 4 pikë. Gent Ibrahimi kishte 1 votë, por 2 pikë meqë ishte kryetar.
Ibrahimi ia dha 2 pikët kandidatit tjetër Ervin Kondilit dhe shmangu balotazhin mes Arben Krajës dhe Altin Dumanit.
Ndërkombëtarët mbetën të zhgënjyer. Ata prisnin që Dumani të zgjidhej drejtues i Prokurorisë Speciale. Përfaqësuesja e OPDAT, Mishel Lakomy, e cila monitoroi votimin, e braktisi mbledhjen atëherë, sapo mësoi që Dumani kishte marrë vetëm 4 vota. Pikërisht për këtë, ambasada po e bën të qartë mbështetjen për Dumanin për të mos lënë asnjë keqkuptim mes anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Lobimi në stilin shqiptar
Pas dështimit që pësuan në vitin 2019, ndërkombëtarët kuptuan se një lobim tjetër nën rrogoz kishte qënë më efektiv. Provë e kësaj qe një foto e një takimi të Ulsi Manjës me Altin Dumanin, që u raportua se kishte ndodhur para votimit të KLP-së.
Manja ishte njeriu që kishte afruar Prokuroren e Përgjithshme Arta Markun me mazhorancën. Tani shfaqej si i dërguar i Edi Ramës në përcaktimin e kreut të SPAK.
Javës që kaloi rezulton se Ulsi Manja ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto ditë është larguar në një udhëtim në Bashkimin Europian për disa takime. Rezulton se “korrieri” i Edi Ramës është jashtë vendit këto ditë, ndërsa ambasadorja Juri Kim nuk e fshehur se i ka thirrur një për një në takim anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që do të votojnë për kreun e SPAK.
Pasuria e Dumanit
Nga kontrolli i pasurisë në veting Dumani ka dalë i pastër dhe e ka kaluar me lehtësi vetingun. Aq sa përfaqësuesi i ONM, që zakonisht ka diçka për t’u ankuar me punën e gjyqtarëve shqiptarë, në fund i ka thënë: “Kam marrë pjesë në 25 çështje dhe kjo është hera e parë që s’kam asnjë pyetje. Zoti Dumani qenka me fat”.
Dumani deklaroi dy shtëpi dhe një zyrë në Tiranë, të gjitha të justifikuara sipas kontrollit financiar. Të treja pasuritë i kishte dhënë me qira dhe tha se jetonte në shtëpinë e prindërve të bashkëshortes, të cilët e kishin ndërtuar shtëpinë me ndihmën e një pastori, të identifikuar në vendimin e KPK-së me inicialet G.B dhe me fondet e Kishave në Angli.
Dosjet e nxehta të Dumanit
Dumani e ka nisur punën në vitin 1999 si prokuror në Sarandë. Ai ka hetuar mijëra dosje dhe për shumë vite është marrë në mbrojtje nga policia. Altin Dumani u vu në qendër të vëmëndjes mediatike me rrëfimin që arriti t’i sigurojë të penduarit Nuredin Dumani. Pas dyshimeve që u hodhën në media për marrëdhënien me të penduarin, i doli në mbrojtje Arben Kraja, që siguroi se mes prokurorit dhe vrasësit me pagesë nuk ka asnjë lidhje veç mbiemrit.
Por një dosje tjetër me peshë ku ai ka punuar, është ajo e shpërthimit të Gërdecit. Së fundmi kjo dosje është rihapur sërish për hetimet të mëtejshme, madje një ditë më parë Aldo Bumçi dha shpjegime për shënimin “Për Shkëlzenin” që dyshohet se ka lënë mbi një dokument të dërguar me faks, kur ishte Ministër Drejtësie