Gjykata e Lartë prej pak muajsh është funksionale me 15 gjyqtarë. Ata supozohet se janë “drejtësia” e re, produkti i Reformës në Drejtësi. Por nuk mendojnë kështu përmbaruesit privatë.
Ata akuzojnë nën zë gjyqtarë të kësaj gjykate si të “kapur” nga sistemi bankar dhe institucionet financiare jobanka.
Një “luftë” ligjore ka nisur prej një jave midis Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, kryetarit Sokol Sadushaj dhe Dhomës Kombëtare të Përmbarimit Privat.
Kjo e fundit ka paditur në vitin 2018 Ministrinë e Drejtësisë dhe ministrin Arben Ahmetaj, ish Ministër Financash për uljen e tarifave të shërbimit të përmbarimit, deri në atë pikë sa do çonin në falimentimin e gjithë zyrave përmbarimore.
Çështja përfundoi në Gjykatën e Lartë. Prej një jave ajo gjykohet nga 5 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Tre seanca janë zhvilluar si rrallë herë në këtë gjykatë, brenda javës dhe njëra prej tyre, herët në mëngjes që në 08:30.
Përmbaruesit pretendojnë se kryetari i Gjykatës Sokol Sadushaj është i njëanshëm për shkak të “lidhjeve evidente familjare dhe interesave direkte për këtë çështje”.
Ata pretendojnë se “gjykata funksionon pa kancelar me qëllim që shorti elektronik të kontrollohet nga një person i lidhur direkt me Sadushajn”.
Fakte të shumta po mblidhen për t’u bërë publike nga përmbaruesit dhe ekspozuar, sipas tyre “komplotin e mirëpërgatitur të Sadushaj kundër përmbarimit privat”.






