Estonia shpall Rusinë shtet terrorist

0

Parlamenti i Estonisë ka shpallur këtë të martë Rusinë një shtet terrorist, duke u bërë shteti i tretë që ndërmerr një vendim të tillë pas dy fqinjëve të tij baltikë, Lituanisë dhe Letonisë.

Tetëdhjetë e tetë nga 101 deputetë votuan pro deklaratës, e cila shprehu mbështetje për hetimet e nisura nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale për krimet e kryera në territorin e Ukrainës nga Rusia. Dhjetë deputetë munguan dhe tre abstenuan nga votimi.

“Duke mbështetur apelin e Parlamentit të Ukrainës drejtuar vendeve dhe organizatave ndërkombëtare, Riigikogu e shpall regjimin rus një shtet terrorist dhe Federatën Ruse një shtet që mbështet terrorizmin”, thuhet në deklaratë. “Riigikogu i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të miratojë deklarata të ngjashme.”

Sakaq, ky vendim vjen një javë pasi Ukraina dënoi Rusinë si një shtet terrorist në një takim urgjent të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Rusia ka dëshmuar edhe një herë se ky është një shtet terrorist që duhet të frenohet në mënyrat më të forta të mundshme,” u tha Sergiy Kyslytsya, ambasadori i Ukrainës në OKB, deputetëve estonezë në fjalët e hapjes.

Ndërsa vendet e tjera evropiane kanë hezituar të ndjekin vendet baltike, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi më 13 tetor për të miratuar një rezolutë që njeh Rusinë si një shtet terrorist.

Megjithatë, presidenti i SHBA Joe Biden  tha javën e kaluar se ai mendon se Rusia nuk duhet të caktohet si një sponsor shtetëror i terrorizmit, edhe pse Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i kishte kërkuar një gjë të tillë. “Nuk është rruga më efektive apo më e fortë përpara, siç e kemi thënë shumë herë më parë, për të mbajtur Rusinë përgjegjëse”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu