Shkruan Kreshnik Marku
Atanazi është aleksandrinas, por emri i tij është i lidhur më tepër me Nicenë, qytezë afër Bitinisë, në Azi të Vogël. Nicea për Kishën Katolike është vend shumë i rëndësishëm, sepse në të u mbajtën dy Koncile ekumenike, të rëndësishme për mbarë Kishën. Në Koncilin e parë, të mbajtur me 20. V. 325, mori pjesë edhe ipeshkvi nga Stobi-Shkupi dhe Ulpiana. (Koncili i dytë i Nicesë është mbajtur në v. 787). Atanasi në Koncilin e I. të Nicesë mori pjesë si sekretar i ipeshkvit të Aleksandrisë.
Në këtë Koncil, të parin pas atij në Jeruzalem, të mbajtur në kohën e apsotujve në v. 49, morën pjesë rreth 220 ipeshkvij nga mbarë bota e krishterë. Më së tepërmi u debatua rreth predikimeve dhe mësimeve të Ariut, prift në Aleksandri. Ai mohonte hyjninë e Krishtit dhe mësonte se Jezusi nuk ishte Biri i Zotit, por vetëm krijesa më e lartë e tij. Në këtë debat ipeshkvijtë ishin të ndarë në tri rryma të ndryshme.
Shumica ishin kundër Ariut dhe kërkonin të denohet, por 22 ipeshkvij e përkrahnin Ariun. Grupi i tretë në krye me Euzebiun, ipeshkvin e Cezaresë, kërkonin formula tjera për ta mbrojtur Ariun. Natyrisht, Kisha është institucion i udhëhequr prej Shpirtit Shenjt, i cili i frymëzoi etërit të formulojnë Besojmen, që ne e themi në Meshë. Megjithatë Ariu me mësimet e veta kishte helmuar shumë njerëz. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe perandori romak Konstantini i Madh, i cili më 313 e nënshkroi Ediktin e Milanos, me të cilin ua dha lirinë fetare të krishterëve.
Përndryshe në Koncil bëhëj fjalë për dy terma: homoousios (i njëgjëjtë) dhe homoiousios (i ngjashëm). Pasiqë etërit nuk mund të mirreshin vesh mes veti, problemin e zgjidh Konstantini, duke kërkuar prej të pranishmëve që të votojnë. Shumica votojnë se Jezu Krishti është i njëgjëjtë me Atin. (Nuk është i ngjashëm, dmth. nuk i përngjan si krijesa Krijuesit – por i njëgjëjtë, një natyre me të, sikur fëmija dhe prindi.) Koncili shpall:
Besoj në një Zot të vetëm, në Jezu Krishtin, një të vetmin Birin e Hyjit, të lindur prej Atit para të gjithë shekujve, Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës, Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë. Të lindur, jo të kriuar, të njëgjëjtë me Atin nepërmjet të cilit u krijuan të gjitha sendet. Ai për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë zbriti prej qiellit, u mishërua e u bë njeri dhe pësoi.
Këtë vendim të Koncilit nuk e pranuan Euzebi dhe Ariu. Perandori Konsantin urdhëroi që ata të largohen nga Perandoria e tij dhe që të zhduken të gjitha shkresat me mësimet heretike të Ariut. Por Euzebi me ndihmën e miqve të shumtë arriti ta bindë Perandorin që ta lejojë Euzebin të qëndrojë në qytet. Për më tepër Euzebi pranoi gabimin para tjerëve dhe e rrëfeu fenë e vërtetë. Atanazi, mendimet e të cilit fituan në Koncil, sikur nuk i besonte Euzebit për pendimin e tij. Andaj i thotë Konstantinit mbret se nuk guxon të veprojë kështu me njeriun (Euzebin) i cili mëson ndryshe nga ajo që është vendosur në Koncil, sepse ai u kundërshton të vërtetave të fesë. Fatëkeqësisht Euzebi do të vazhdojë edhe më tutje me mësime të gabuara, duke i sjellur Kishës probleme të shumta.
Ndjekësit e mësimit të gabuar i Arios ndahen në tri grupe: Grupi i parë mëson se Krishti nuk është as Zot e as që i përngjan Atij. Grupi dytë thotë se Krishti i përngjan Zotit, por nuk është Zot dhe grupi tretë thotë se në esencë Krishti i përngjan Zotit.
Në Perëndim Valentiani, pernador i asaj kohe, i përkrah katoliket. Pastaj ishte edhe ipeshkvi i madh i Milanos, Ambrozi, i cili me mësimet e veta denjësisht e mbronte besimin e mirëfilltë. Ndërsa në lindje ishin dy Gregorat (Gregori i Nisës dhe Gregori i Naziancit) dhe Bazili i Madh, të cilët, duke bashkëpunuar me etërit e Perëndimit, ngadale arritën ta zhdukin apo së paku ta dobësojnë këtë herezë.
Këtë pjesë të historisë së Kishës e cekëm me qëllim, sepse Atanazi ishte protagonisti kryesor në këtë oqean të vuajtjeve, në të cilin u përfshi Kisha në kohën e tij. Atanasi nuk ishte teolog i madh, por ishte i zellshëm në punë. Populli shumë e donte dhe e nderonte. Ipeshkëv u bë në moshën 32 vjeçare. Tri herë ishte i larguar nga selia e tij prej arianisteve. Të tretën herë takohet në shkretirë me shën Antonin abat dhe nga këtu e drejton ipeshkvinë e vet.
Atanasi e udhëhoqi ipeshkvinë e vetë dyzet e gjashtë vite, prej të cilave 20 vite ishte jashtë saj, për arsyet që i cekëm më parë. Atanasi vuajti për Zotin dhe për Kishën. Nuk thuhet kot se kur populli është në luftë, i nevojitet një gjeneral i mirë, ndërsa kur është në paqe një diplomat i mirë. Atanasi ishte i denuar gati tërë jetën, por historia e nderon si shtyllë të Kishës.
Vdiq me 3 maj 373 në Aleksandri. Festa e tij festohet më 2 maj.
Veprat
Adversus gentes (Kundër paganëve) është vepër që ndahet në dy pjesë: Bëhët fjalë mbi kotësinë e besimit pagan dhe mbi mënyrën sesi njeriu nëpërmes njohjes së shpirtit të vet dhe botës vjen deri tek njohja e Zotit të vërtetë.
Libri dytë Oratio Verbi tregon pse Zoti mori natyrën tonë njerëzore.
Orationes tres contra Arianos (Tre fjalime kundër arianitëve) është një vepër e madhe dogmatike, në të cilën i hedh poshtë mësimet e Ariut dhe dëshmon se Jezusi është Zot dhe Njeri në një përson të vetëm.
Më tutje shkruan mbi marrëveshjet në sinoda që ai udhëhoqi, qëllimi i të cilave është luftimi i mësimeve të gabuara.
Pastaj shkruan edhe Jetën e shën Antonit abat, me të cilin takohet në shkretirë të Egjiptit.
Atanazi ka edhe vepra tjera, më pak të njohura. Mirëpo edhe këto që i cekëm dëshmojnë trimërinë dhe mençurinë e Atanasit në mbrojtjen dhe dëshminë e fesë.
Atanazi u përvujtërua para Zotit dhe lejoi që shpirti i Tij ta udhëheqë, ta frymëzojë dhe ta drejtojë, dhe kështu të mbetet i dashur për bashkëkohësit e vet dhe për Kishën deri në ditët e sotme.