Shkruan Zef Ndreka
Tregu politik, ka disa muaj që ka hedhur sytë edhe për votat e emigrantëve shqiptarë, të shpërndarë anembanë botës.
Këtë e tregojnë qartë lëvizjet e liderëve të disa partive, sidomos e Edi Ramës në Greqi, në Itali, e sidomos në SHBA, ku emigrantët për shumë arësye mund të jenë më të organizuar se në vendet e tjera.
Po ashtu, edhe nga PD-ja zyrtare ka shënja të një kërkimi në këtë treg politik ku shihen qartë disa lëvizje por në nivele më të ulëta. Ashtu siç ka vepruar pak kohë më parë edhe Basha në Milano.
Në të gjitha takimet, shihet qartë propaganda për të polarizuar edhe ketë pjesë të elektoratit që mund të përbëjë afërsisht 50% të numrit të votuesve.
Por sa dhe si parashikohet të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve vota e emigrantëve?!
A do të ketë përfaqësues të tyre në parlamentin e ardhshëm?!
Apo thjeshtë do të përdorën sa për të shtuar përqindjen e pjesëmarrësve në zgjedhje?
Mbase do të jetë kjo e fundit.
Ps-ja, me trendin e sotëm të zhvillimit të ngjarjeve politike, ku drejtësia e re po përballet me krimin dhe korrupsionin, me pa ndëshkueshmërinë e pengmarresve dhe peng mbajtësve të proçeseve demokratike, shihet si një fituese thuaj e sigurtë e zgjedhjeve të ardhshme.
Marrëveshja e rifirmosur sërish e Berishës me Ramën pa ndryshuar kodin zgjedhor, favorizon PS-në e cila lehtësisht do të marrë mbi 40% të votave dhe në mazhoritar mbi 80 deputet.
Pavarësisht ankimimeve të disa partive të vogla opozitare, gjykata kushtetuese nuk ka gjasa të ndërhyjë të prishë marrëveshjen që mban statusquonë politike në Shqipëri.
Kështu, PD-ja e foltorës, e cila nuk pritet të marrë mbi 17 deputet direkt, do të mund ta shohë veten parti të tretë për nga numri i votave në mazhoritar.
Votat e emigrantëve, do të mund vetem të rrisin numrin e pjesëmarrësve pa ndikuar në rezultat. Çka do të ri-legalizojë fitorën e 4 radhazi të socialistëve.
Kështu, duke përjashtuar manipulimet e mundshme, votat e emigrantëve thjeshtë do të shtojnë numrin e pjesëmarrësve në zgjedhje dhe do justifikojnë legjitimitetin.
Asgjë më shumë, asgjë më tepër!