Socialistët rrezikojnë Durrësin. Rama në panik për bashkinë e përfshirë te Marina dhe Inceneratorët

0

Në fillim e bëri pjesë të podcast-it të tij, një format që kryeministri Rama e nisi për të nxjerrë anët më të mira të atyre personazheve që i do ose i duhen.

Emiriana Sako i ka të dyja. Rama e do, sepse ajo nuk është nga ato që del nga rreshti. Dhe i duhet, sepse ajo zbaton thuajse verbërisht çdo urdhër të tij.

Tani që komunikimin e ka të drejpërdrejtë me kryeministrin dhe nuk i duhet të flasë përmes atyre që e sponsorizuan në fillimet e saj në politikë, firma mbi kërkesat e tij është privilegj.

Pas podcast-it, Rama i dedikoi edhe një spot elektoral, i cili po shfaqet papushim në ekranet e televizioneve dhe nëpër faqet e portaleve dhe rrjeteve sociale.

Edhe mbylljen e fushatës ai do ta bëjë në Durrës, në mbështje të Sakos, të cilën ka nisur ta quajë “një shalqi me provë”. Por cila është prova që Sako ka dhënë nën drejtimin e Bashkisë së dytë më të madhe në vend? Deri tani ajo është pëfolur për dy afera të mëdha: inceneratorët dhe Marina e Durrësit.

Opozita e ka denoncuar si të përfshirë në aferën e inceneratorëve, pasi Emiriana Sako i dha kompanisë së Klodian Zotos 10 milionë euro nga buxheti i bashkisë që drejton.

Në fillim të vitit 2022 durrsakët e panë qytetin e tyre të përmbytur nga plehrat. Zona e grumbullimit të mbetjeve në Porto Romano ishte e mbuluar vazhdimisht nga re të mëdha tymi me tonelata plehra që digjeshin papushim.

Duke shpallur gjendjen e emergjencës, Sako, pa tender, por me negocim, i dha kompanisë së inceneratorit të Tiranës 25 milionë euro, 15 prej të cilave vetëm për transportin.
“Ka shtuar sasinë e mbetjeve të Durrësit duke fryre faturën financiare nga 38.146 ton në vit, në 80.000 ton në vit”, denonconte në atë kohë opozita.

“Tashmë është e qartë për të gjithë se organizmi dhe zbatimi i kësaj afere kriminale, nuk mund të ndodhte pa mbështetjen dhe miratimin e Edi Ramës”, vijonte denoncimi.

Pas plehrave, mediat e akuzuan edhe për vjedhje në një tender prej 7 milionë eurosh për kanalizimet. Edhe pas këtij tenderi, Durrësi përmbytet sa herë ka reshje.

Por qershia mbi tortë është projekti i Portit të Durrësit, një investim që do të arrijë në 2 miliardë euro, sipas premtimeve të biznesmenit arab Muhamet Alabbar.

Emiriana Sako ka firmën mbi planin e projektit më të përfolur në vend, siç e ka bërë të ditur kohë më parë Zoom.al. Sipas PDV-së (Planit të Detajuar Vendor), vetëm 5 përqind e ndërtimit janë për shërbime. Thënë më shkoqur, edhe pse thuhet që Marina do t’i shërbejë turizmit, PDV saktëson se vetëm 5 % e ndërtimeve dhe hapësirave janë për hotele e lokale në dobi të turizmit. Pjesa tjetër janë pallate banimi, të ndërtuara në 800 mijë m2 tokë shtetërore që Alabbar-it iu fal nga Edi Rama.

Jo më kot Porti Turistik është përfshirë edhe në spotin elektoral ku Rama shfaqet krah për krah me Emiriana Sakon, si me asnjë kandidat apo kandidate tjetër për kryetar bashkie.

Dhe jo më kot Rama e ka fokusin te kjo bashki. Sepse, sondazhet e brendshme e nxjerrin shaqinin e tij me provë një kungull që farat i kanë rënë në dy nga aferat më të mëdha të përfolura për korrupsion dhe i japin fitoren kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Carës.

Nga paniku që e ka kapur për humbjen, Rama po provon gjithçka. Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, shkruante pak ditë më parë, se në fushatë Partia Socialiste kishte përfshirë edhe elementë të krimit të organizuar.

Fitorja e “shalqinit me provë” i nevojitet Ramës sa për të mbuluar atë çfarë është bërë me këto dy projekte, aq edhe për të çuar përpara planet e dyshimta në Portin e Durrësit, për të futur në punë para të korrupsionit apo kriminalitetit, siç është denoncuar në media prej ditës kur Edi Rama vendosi t’i japë pa garë projektin Alabbarit edhe pse ai kishte dështuar me një projekt të ngjashëm me mikun e Ramës, Vuçiçin, në Beograd.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu