Nga elitë u shndërruan në kriminelë/ Lista e komandove shqiptarë që u bënë vrasës me pagesë, grabitës dhe trafikantë

0

Arrestimi i ish-komandos Kujtim Çeliku  bashkë me efektivin e Policisë Rrugore, Florenc Bicerri në Turqi nuk është i vetmi rast i përfshirjes në ngjarje kriminale të komandove ushtarake të Shqipërisë, që konsiderohen si reparti elitë i Forcave të Armatosura.

Komandot e Regjimentit të Operacioneve Speciale janë të stërvitur për të luftuar me metoda speciale, në jo pak raste ata u bënë pjesë e krimit, jo vetëm të trafikut të narkotikëve, por edhe të “tregut” të vrasjeve me pagesë.

Shumë komando dhe efektivë pas mbarimit të misioneve janë të braktisur ndër vite nga shteti, pa asnjë mundësi punësimi alternativ e të pa asistuar kurrë nga ana psikologjike dhe me kalimin e kohës nga “paqeruajtës” janë shndërruar në rrezik potencial për sigurinë: vrasës me pagesë, grabitës të rrezikshëm, trafikantë droge e deri në xhihadistë.

Më poshtë do të lexoni  12 raste të ushtarakëve të përfshirë në krime;

6 Qershor 2013, dënohet Aldo Morina, vrau Mehmet Beqirin
Gjykata e Tiranës dënoi me 12 vite burg oficerin e forcave komando, Aldo Morina për akuzën e vrasjes së taksistit Mehmet Beqiri. Ditën e vrasjes, më 1 janar 2013, u dorëzua në polici dhe pranoi krimin, me pretendimin se viktima i dhunonte nënën. Beqiri dhe nëna e të pandehurit kishin një lidhje jashtë martesore.

21 Mars 2014, katër komando i bashkohen ISIS, dy pret tyre vriten
Hetimet e prokurorisë për shqiptarët që shkonin të luftonin në Siri zbuluan edhe një fakt tronditës, katër komando ishin bërë pjesë. Diamant Rasha, Erjon Alia, Artur Balla dhe Leonard Përlika. Dy të parët u vranë si pasojë e luftimeve që kryeheshin në Siri.

15 Korrik 2014, arrestohen tre komando për prodhim të minave
Policia e Durrësit arrestoi tre komando Fran Kolën, Kleo Gjinkolën dhe Alban Donajn, të cilët montonin e tregëtonin mina me telekomandë. Në atë kohë policia pretendoi se minat janë përdorur në tre atentate, në vrasjen e biznesmenit Xhemal Çelës, të Baki Xhabaftit dhe plagosjen e Fredo Berberit.

17 Shtator 2014, dënohet me 35 vjet burg për vrasje Ndriçim Balla
Gjykata e Tiranës dënoi me 35 vjet burg ish-oficerin e Forcave të Armatosura Ndriçim Balla, për vrasjen me dashje të Majlinda Hoxhës dhe plagosjen e Elton Fushës në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 9 shtator 2013, Balla qëlloi drejt Elton Fushës, por plumbat kapën 35-vjeçaren Majlinda Hoxha.

15 Qershor 2016, arrestohet Romin Davidhin për drogë
Në sajë të operacionit “Fast” policia arrestoi Romin Davidhin, komando i Forcave Detare dhe Arjan Tabakut. Ata u kapën në makinë me një sasi prej 10 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa, një trup pistolete bashkë me tytën dhe fishekë të kalibrit 7.62 mm.

8 Nëntor 2016, arrestohet Medat Hasani për terrorizëm
Një akt terrorist u parandalua në ndeshjen Shqipëri-Izrael, teksa u arrestua komando Medat Hasani që prodhoi bombën me telekomandë. Katër ditë para zhvillimit të ndeshjes u finalizohet operacioni me arrestimin e 18 personave të dyshuar për lidhje me ISIS, mes tyre komando Hasani, që kishte qenë edhe në Siri.

9 Shkurt 2017, arrestohen Ditjon Memlika dhe Naim Avdulaj për grabitje
Policia arrestoi 4 nga 8 grabitësit e 3.2 milionë dollarëve të një banke të nivelit të dytë në Rinasi. Mes të arrestuarve ishin edhe dy ish-komandot, Ditjon Memlika dhe Naim Avdulaj. Të dy komandot e arrestuar kanë qenë të angazhuar në misione të rëndësishme me Forcat e Armatosura.

4 tetor-2018, komando Merviol Bilo i përfshirë në ‘masakrën’ e ish-Bllokut
Ish-komando Merviol Bilo u përfshi në ngjarje e 4 tetorit 2018 në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagos Ervis Martinaj. Bilo u dënua me 7 vite burgim për plagosje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa dënimi iu reduktua në 4 vite e tetë muaj dhe më pas iu konvertua në shërbim prove.

15 prill 2019, arrestohet për terrorizëm Erzen Uka
Ish-komando Erzen Uka, që shërbeu në Irak dhe Afganistan u arrestua nga Antiterrori më 15 prill 2019. Ai u vu në pranga pas dyshimeve për prirje radikale dhe nxitjen e urrejtjes me qëllim kryerjen e veprave terroriste. Konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë, dhe survejohej prej vitit 2007.

1 shtator 2020, arrestohet për plagosje Klodian Beshiri
Anëtari i Forcave të Armatosura, komando Klodian Beshiri plagosi me armë dy persona mbrëmjen e 1 shtatorit të vitit 2020, pas një sherri. Në atë kohë, Beshiri u akuzua se plagosi me armën e shërbimit Rexhep Qefalinë dhe Redi Myrton.

9 shtator-2022, arrestohet në Britani të Madhe Anis Plaku
Një ish-komando shqiptar u arrestua në Britani, me dy bashkëkombas të tjerë, pasi u kapën me lëndë narkotike me vlerë 300 mijë paund. Anis Plaku, 29 vjeç, ish-ushtarak i Forcave të Armatosura shqiptare, që shërbeu edhe në Afganistan u dënuan me tre vite burg.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu