Mecenat, pasardhës mbretërish të lashtë, poet, mbrojtës i letërsisë dhe artistëve

0
Shkruan Zija Vukaj

Gaius Maecenas, shumë i kulturuar, sqimatar, pasardhës i një familjeje të lashtë etruske, qe bashkë me Agripën bashkëpunëtori më i vlefshëm dhe i sinqertë i perandorit August. Agripa, i varfër dhe me origjinë të thjeshtë, moshatar dhe në rini shok shkolle me djaloshin Oktavian, u radhit besnikërisht në krahun e tij. Mbuloi shumë detyra dhe pati edhe pushtetin e tribunit e autoritetin e prokonsullit. Përkundrazi, Mecenati vinte nga një familje e pasur nga Areco dhe thuhej se rridhte nga gjak mbretëror. Horaci shkruante për të: “Mecenas atavis edite regibus”(“O Mecenat, pasardhës mbretërish të lashtë”).
U lind më 13 prill të vitit 68. Veprimtaria kryesore që e ka bërë të famshëm ndër shekuj është padyshim ajo e mbrojtësit të letërsisë (ai ishte vetë poet i rafinuar dhe njohës arti), aq sa emri i tij ka marrë për antonomazi kuptimin e mbrojtësit bujar të letrarëve dhe artistëve. Duke pasur lidhje të drejtpërdrejta me mendjet më të ndritura të kohës së tij e duke u marrë personalisht me direktivat e politikës kulturore, Augusti i la detyrën e veçantë “ministër i kulturës”, të besuarit të tij Mecenatit, i cili zhvilloi një funksion thelbësor: diti të njihte prirjet e vrullin e poetëve të mëdhenj dhe t’i orientonte me maturi, por me ngulmim, drejt Principatës. Me diplomaci të madhe Mecenati diti të gërshetonte marrëdhënie, që pastaj u shndërruan në miqësi, me intelektualë e poetë të bashkuar në një rreth letrar, ku bënë pjesë jo vetëm personazhe të njohur e të shquar si Virgjili, Horaci, Properci, por edhe të tjerë që nuk u janë ruajtur veprat si Kuintil Varo, Domic Marsi, Ploc Tuka, Luc Vari Rufo.
Para se t’i kushtohej tërësisht politikës kulturore qe një burrë energjik veprimi, mori pjesë në 43-shin në luftë kundër Antonit; në 42-shin në atë të Filipit kundër vrasësve të Çezarit; në 40-ën qe mjeshtri i marrëveshjeve të Augustit me Antonin e Brindizit; në 36- 37-ën në luftën e fundit kundër Pompeut të Gjashtë (biri i Pompeut të Madh) qe lënë prej Augustit si “ruajtësi” i vetë Romës, siç shkruante një poet i panjohur në një elegji në lavdërim të tij: “Ti krahu i djathtë i Augustit të mirë, ti ruajtësi i qytetit të Romës”.
Ndërsa prania e tij në betejën e Acit në 31-shin është e paqartë, betejë të cilën Augusti e ndërmori kundër Antonit dhe Kleopatrës dhe përfundoi me humbjen dhe ikjen e tyre. Në vitin 30, ndërsa Augusti ishte akoma në Egjipt në ndjekje të dy humbësve, u zbulua një komplot i organizuar nga Emil Lepidi (biri i ish- triumvirit), për të vrarë perandorin kur të kthehej në Itali. Mecenati ndërhyu në mënyrë vendimtare në çastin e duhur, duke shkulur me rrënjë komplotin e kobshëm. Në fund të atij viti, i prekur nga një sëmundje e rëndë, u tërhoq nga politika duke u kufizuar vetëm në këshillimin e Augustit, por duke iu kushtuar sidomos rrethit letrar që kishte krijuar rreth vetes dhe në limontinë e kopshteve të shkëlqyera në Eskuilino. “Pëlqeu lisin hijerëndë dhe ujërat që gurgullonin poshtë/ dhe pak akra tokë në një vend plot fruta/ duke përnderuar Pieridët e Febin kopshteve të ëmbla. Ç’i duhej tjetër? Kishte zhvilluar rolin e tij prej shoku besnik, njëkohësisht ushtar/ dhe deri në fund i devotshëm ndaj Augustit”. Kështu shkruhet në elegjinë e përmendur më lart. Ideali i tij mbeti përherë arritja e paqes që u vendos në fund të luftërave vëllavrasëse dhe të konflikteve të përgjakshme prej një shekulli; dhe t’u jepte njerëzve mirëqenie dhe qetësi.
E përbuzi karrierën politike, nuk deshi detyra zyrtare administrative apo politike, duke mbetur gjithmonë në rangun kalorësiak të cilit i përkiste. Ai e dinte mirë që detyrat institucionale nuk kishin vlerë reale, aq sa magjistratët ishin ekzekutues të thjeshtë të direktivave të Princit.
Rreth vitit 23 u pa një ftohje e marrëdhënieve me Augustin, për dy arsye: tradhtia e gruas Terencia, që u bë një nga të dashurat e perandorit dhe pjesëmarrja e Terenc Murenës, vëllait të Terencias në komplotin e Fan Cepionit kundër Augustit. Mecenati i tha së shoqes se i vëllai ishte në rrezik sepse dikush që kujdesej për jetën e Augustit po hetonte për planet dhe emrat e komplotistëve. Por Maurena i lajmëruar nga e motra nuk i dëgjoi këshillat e tij; i zbuluar bashkë me komplotistët e tjerë u kap dhe u dënua. Nxjerrja e një sekreti shtetëror qoftë edhe para gruas, u quajt faj shumë i rëndë, i vetmi- sipas biografit Svetonio- që Augusti mund të qortonte bashkëpunëtorin e tij besnik. Në vazhdim edhe prestigji i Mecenatit pësoi një rënie të vazhdueshme. Augusti nuk ia fali, edhe pse dëshmitë e vjetra aludojnë për marrëdhënie miqësore në të ardhmen mes tyre: para vdekjes Mecenati ia la perandorit pasuritë e tij të shumta.
Nga poetët e rrethit të vet mori mirënjohje, vlerësim dhe përzemërsi, sepse ai nuk ishte vetëm garant i mbështetjes materiale të poetëve, por edhe një i ditur që drejtonte zgjedhjet poetike dhe ndiqte veprat e poetëve të vet e shpesh marrëdhënia e tij me ta shkonte përtej rolit që Augusti i kishte besuar dhe bëhej miqësi. Me Horacin sidomos, pati një miqësi krejt të veçantë që e kapërcente raportin mes pronarit dhe klientit, ishte bazuar mbi përzemërsinë, respektin dhe përkushtimin reciprok. Lexojmë te Horaci: “Krenari dhe mbështetje e gjendjes sime. Ç’mund të bëja unë në jetë/ kënaqësi që ti ekziston, ndryshe do të ishte e padurueshme.” Properci i drejtohet: “O nder, o pjesë e madhe e famës sime.” Virgjili e fton: “Më eja pranë e përshko me mua lodhjen e filluar, o Mecenat.” E pastaj: “Rregullat e tua nuk janë të lehta për t’u ndjekur, por pa ty/ mendja ime s’mund të bëjë asgjë të madhe.” Autori anonim i mvesh edhe meritën: “u kurseve poetëve një pleqëri të varfër.”
Përkundrazi, dëshmi të autorëve të tjerë latinë të mëvonshëm shprehën gjykime të këqija mbi stilin e veprave dhe mënyrën e jetës së tij. U ngrit një portret jo shembullor i Mecenatit: qejfli bjerradite e rehatish, me sjellje femërore, i lëshuar pas epsheve, i pashpirt, ekscentrik, që nuk praktikon në jetë idealet e ngritjes morale të predikuara nga Augusti. Taciti jep një Mecenat të dashuruar pas aktorit të pantomimës Batilo, Seneka e nxjerr të pikëlluar nga tradhtitë e së shoqes dhe të matufepsur nga pasuria, ai nuk i kurseu romuzet armiqësore as për tuhafllëkun e tij në veshje; pak mikluese janë epitetet e Juvenalit ndaj tij: “harbut” dhe “i shthurur”; përqeshës gjykimi i Tacitit që duke, aluduar për karakterin artificial të vargjeve i krahason me kaçurrelat e bërë me hekur të nxehtë; Seneka pastaj nuk ngurron t’i quajë vargjet e tij “shkrimet e një të dehuri, plot shtrembërime dhe trille”.
Në realitet këto gjykime negative janë diktuar nga moralizmi përballë zakoneve të jetës ndryshe prej asaj tradicionales. Edhe pse disa dëshmi e citojnë Mecenatin si shembull të vajtueshëm të shthurjes e të dobësisë së karakterit dhe dënojnë zakonet e tij ekstravagante (si mbajtja përherë e tunikës zbërthyer, shenjë çrregullsie e lënieje pasdore), ai pati cilësi të larta personale: një ndjenjë të forte miqësie, aftësinë për të shmangur fërkimet dhe distancat shoqërore, mospërfilljen ndaj nderimeve, dashurinë për natyrën, ku gjente paqen e shpirtit, promovimin e kulturës e të artit. Sidoqoftë, është e qartë se me veprimtarinë e shkathët Mecenati arriti përmes veprave të miqve të tij të lartësonte regjimin e Augustit, edhe pse nuk ishte ky qëllimi i tij i drejtpërdrejtë dhe ideali i tij ishte një Principat i moderuar, si e vetmja garanci kundër rënies në kaos dhe në dhunën e mëparshme.
Megjithë meritat e tij të mëdha, qe shpërblyer nga pasardhësit vetëm me një dhuratë të përjetësimit të emrit të tij, cilësuar si mbrojtësi i artistëve dhe letrarëve. Gati asgjë nuk ka mbetur nga veprat e tij, vetëm pak fragmente që tregojnë një eksperimentim të dëshpëruar, prirje që është interpretuar si shenjë e një shpirti të trazuar.
Jeta bashkëshortore e Mecenatit ishte e tronditur. Seneka e përshkruan Terencian si një grua tekanjoze dhe ekstravagante, me karakter të vështirë, një grua kryeneçe që i fuste ankthin të shoqit, kapitur nga zënkat e përditshme dhe mundimet e tjera. Mecenati qe detyruar të bënte ndarje të përkohshme nga Terencia, por pas një periudhe largimi e merrte në shtëpi, aq sa Seneka ironizonte: “U martua një mijë herë, por gjithnjë me të njëjtën grua”
Lëndues ishte pasioni mes saj dhe Augustit, por e duroi me një nënshtrim, i shtyrë ndoshta edhe nga një oportunizëm, për të mos hyrë në konflikt me Augustin. Rreth pasionit të Augustit për Terencian Kas Dion thotë se në vitin 16 perandori u largua nga Roma “që të mund të jetonte me të diku gjetkë pa u përndjekur nga nga fjalët e njerëzve, pasi Roma po llomotiste shumë për punën e tyre. Në fakt pasioni që ushqente për atë grua ishte shumë i fortë.”
Por për të ngushëlluar mbrojtësin e poetëve ishte një aktor pantomime me emrin Batil, 15- 20 vjeç më i ri se ai. Ishte i njohur në atë kohë pasioni i fortë i dashurisë, i jetuar nga Mecenati ndaj këtij djali me origjinë nga Aleksandria e Egjiptit, i thirrur në romë nga Augusti për të përgatitur festat skenike që donte ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu