Këshilli i Imuniteteve i hap rrugë arrestimit të Ahmetajt. Avokatët: Është jashtë shtetit për arsye personale

0

Këshilli i Mandateve jep autorizimin për arrestimin dhe kontrollin e banesës së deputetit Arben Ahmetaj. Mazhoranca dhe opozita në Këshill, ndonëse me raporte të ndryshme, ishin në një qëndrim të përbashkët sa i përket dhënies së autorizimit për kërkesën e SPAK.

Gjithsesi, do jetë Kuvendi ai që do të thojë fjalën e fundit lidhur me këtë kërkesë në seancën e posaçme që pritet të mbahet ditën e hënë.

Mbledhja, ashtu si edhe të martën, nisi me debate mes deputetëve të opozitës dhe kryetares së Kuvendit dhe shkak u bë dita se kur duhet të mbahet seanca plenare, e cila do të votojë raportin që do të hartojë Këshilli i Mandateve për kërkesën e SPAK.

Burime nga mbledhja bëjnë të ditur se deputeti demokrat, Gazmend Bardhi kërkoi që raporti të futet për votim në seancën e kësaj të enjte, por Konferenca miratoi propozimin e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që seanca e posaçme për votimin e këtij raporti të mbahet të hënën e ardhshme në orën 17:00.

Për rreth 2 orë, avokatët e Arben Ahmetajt paraqitën para Këshillit argumentat e tyre duke bërë të qartë se kërkesa për arrestim të tij është e pajustifikuar. Ndërkohë që për mediat, pas seancës, avokatët e Ahmetajt mohuan edhe akuzat e SPAK për korrupsion dhe fshehje pasurie. Ata pranuan se Ahmetaj ishte jashtë Shqipërie, por refuzuan në mënyrë kategorike që vizita e tij të jetë një përpjekje për t’iu shmangur drejtësisë.

Prokuroria e Posaçme i kërkon Kuvendit të hapë rrugën për arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilin po e heton për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, si dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në dosjen voluminoze prej 400 faqesh, krahas Ahmetajt rezultojnë të përfshirë për aferën e incenaratorëve edhe persona të tjerë, ndaj SPAK i kërkoi kuvendit që seancat e Këshillit të Mandateve të mbahen pa praninë e medias.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu