Shkruan Ugo Milano Openonline
Armëpushimi në Rripin e Gazës pritet të nisë në orën 8:30 të së dielës më 19 janar. Ushtria izraelite e konfirmoi këtë pasi qeveria e Benjamin Netanyahu i dha dritën jeshile marrëveshjes së nënshkruar me Hamasin. “IDF po përgatitet të zbatojë marrëveshjen për kthimin e pengjeve të miratuar nga liderët politikë të shtunën mbrëma. Marrëveshja do të hyjë në fuqi të dielën, më 19 janar në orën 08:30 dhe, si pjesë e saj, trupat e IDF do të zbatojnë procedurat operacionale në terren në përputhje me marrëveshjet e vendosura”, thuhet në një deklaratë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit të publikuar në Telegram. “IDF,” vazhdon shënimi, “po përgatitet të marrë pengjet pas lirimit të tyre nga robëria e Hamasit dhe po punon për të ofruar mbështetjen e duhur fizike dhe psikologjike”.
Shkëmbimi i të burgosurve
Ndër operacionet e para të parashikuara në fazën e parë të marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit është lirimi i 737 të burgosurve palestinezë në këmbim të pengjeve të parë izraelitë të mbajtur nga militantët islamikë. Ministria e Drejtësisë në Tel Aviv njoftoi se në mesin e të burgosurve që do të lirohen është Zakaria Zubeidi, përgjegjës për disa sulme kundër civilëve izraelitë dhe ish-udhëheqës i Brigadave të Dëshmorëve Al-Aksa, krahu i armatosur i partisë Fatah, i cili u arratis nga një burg izraelit në vitin 2021. Ka edhe shumë gra, duke përfshirë Khalida Jarar, një parlamentare palestineze e krahut të majtë, të cilën Izraeli e ka arrestuar dhe burgosur në disa raste. Edhe ajo do të lirohet. Jarar është një figurë udhëheqëse në Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës, një grup i konsideruar si një “organizatë terroriste” nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Noga Katz, tha megjithatë se numri përfundimtar i të burgosurve që do të lirohen në shkëmbimin e parë do të varet nga numri i pengjeve të gjalla të liruara nga Hamasi.
Plani i OBSH-së për Gazën
Përpara armëpushimit në Gaza, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka premtuar një plan ambicioz të reagimit shëndetësor emergjent. “Qëllimi është të transportohen nga 500 deri në 600 kamionë në ditë në javët e ardhshme” në enklavën palestineze, tha Rik Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së në territoret e pushtuara palestineze. Kjo do të përfaqësonte “një rritje të madhe” nga 40-50 kamionë që kanë arritur në Gaza në muajt e fundit dhe do të ishte e ngjashme me nivelin e ndihmës që po arrinte në Gaza përpara 7 tetorit 2023, ditën e sulmit të Hamasit ndaj shtetit hebre. Për mjekun e OBSH-së shpallja e armëpushimit ishte “shenjë shprese”, por ai paralajmëroi se sfida është e madhe. Të dhënat tregojnë se që nga fillimi i konfliktit më shumë se 46,000 njerëz janë vrarë në Rripin e Gazës, me 110,000 të tjerë të plagosur. Sëmundje të ndryshme po përhapen në të gjithë territorin dhe rreziku i urisë mbetet i lartë. Sipas OBSH-së, 10 miliardë dollarë do të nevojiten për të rivendosur sistemin shëndetësor të shkatërruar të Gazës.
Sirenat në Izrael: “Raketat nga Jemeni”
Ndërkohë, në prag të ditës kur do të nisë armëpushimi në Gaza, sirenat e alarmit po bien sërish në Tel Aviv dhe Jerusalem. Ata me sa duket u shkaktuan nga një raketë e lëshuar nga Jemeni. Gazetarët e agjencisë franceze të lajmeve AFP raportuan se kishin dëgjuar shpërthime të forta. Në mëngjes, Forcat Ajrore izraelite njoftuan se kishin kapur raketën Houthi.