Shkruan Zef Ndreka
A po krijohet një hartë e re politike në horizont?
Erdhi ajo që pritej nga qytetarët, nga studentët dhe mbi të gjitha, nga vetë politika shqiptare.
Protestat, pas një periudhe të gjatë artikulimi qytetar, më në fund po marrin formën e një lëvizjeje politike. Ajo që nisi si pakënaqësi ndaj qeverisjes, korrupsionit dhe mënyrës së funksionimit të politikës, po tenton të shndërrohet në organizim, në përfaqësim dhe në krijim alternativash të reja politike.
Deri tani janë artikuluar disa iniciativa, si: “Të Bashkuar për Shqipërinë”, “Aleanca e Diasporës për Shqipërinë” dhe një formacion që është identifikuar si “Islami Politik Nacionalist”. Ndërkohë, nuk përjashtohet që në këtë skenë të shfaqen edhe parti apo lëvizje të tjera.
Veçanërisht interesante do të jetë iniciativa që pritet të vijë nga Shoqata e të Përndjekurve Politikë.
Kjo shoqatë ka një histori të veçantë në politikën shqiptare. Për shumë vite, ajo është perceptuar si një prej bazave historike dhe morale të Partisë Demokratike, madje shpesh edhe si një pjesë e pandarë e identitetit të saj politik.
Pikërisht për këtë lind pyetja:
A do të jetë kjo parti një përpjekje për të rikthyer përfaqësimin e mirëfilltë të ish-të përndjekurve politikë, apo do të jetë një tjetër projekt politik që synon të marrë një pjesë të elektoratit tradicional të PD-së?
Pas 35 vitesh pluralizëm, është legjitime që çdo grupim shoqëror të kërkojë përfaqësimin e vet politik. Por e reja nuk mund të jetë thjesht krijimi i një partie tjetër me emra të rinj dhe me të njëjtën mendësi të vjetër.
Vendi ynë ka nevojë për alternativa që të ndërtohen mbi ide, mbi programe, mbi përgjegjësi publike, mbi demokraci të brendshme dhe mbi respektin për institucionet.
Meqenëse protestat po prodhojnë parti të reja, atëherë sfida e tyre e parë nuk do të jetë vetëm të kundërshtojnë partitë ekzistuese, por të dëshmojnë se mund të ofrojnë një kulturë tjetër politike.
Dihet se krijimi i një partie të re politike është relativisht i lehtë. Ndërsa krijimi i alternativave të besueshme politike është një sfidë krejt tjetër.
Të presim…
Çështja kryesore që meriton analizë të veçantë në këtë situatë, është raporti i partisë së pritshme të ish-të përndjekurve me PD-në.
Pyetja në këtë rast do të kërkonte:
A do të jetë shkëputje reale nga trashëgimia politike e PD-së, apo një përpjekje për të krijuar një përfaqësim të ri të së djathtës shqiptare?
Mendoj se zhvillimet e fundit mund të trajtohet si momente të reja në politikën shqiptare, ku realisht protestat po tentojnë të kapërcejnë karakterin e tyre fillestar qytetar dhe studentor, duke u shndërruar në organizime me identitet dhe ambicie politike.
Por a kemi të bëjmë me lindjen e një pluralizmi të ri politik apo thjesht me fragmentimin e mëtejshëm të politikës ekzistuese?




