Shkruan Lefter Koci
Tregim
Bazuar në një ngjarje të vërtetë.
Në qytezën e tij, Jovanit i kishin ngjitur nofkën “Ivani i Tmerrshëm” — jo për ndonjë fitore të madhe, por për hijen e frikës që hidhte mbi çdo bisedë. Emri i tij qarkullonte me një lloj kujdesi të fshehtë; atje ku kalonte ai, hapat ngadalësoheshin, zërat uleshin dhe ndonjë kalimtar gjente gjithmonë një arsye të papritur për të rregulluar lidhëset e këpucëve, ose bënte sikur po fliste në celular — zakon ky që disa burra të martuar e përdornin edhe për të ndjekur me shikim ndonjerën që kalonte. Askush nuk kishte dëshirë të provonte kufijtë e durimit të tij.
Kishte ngritur kështu një mbretëri të vogël personale, e cila qëndronte jo mbi respekt të fituar, por mbi hezitimin e të tjerëve për t’u përplasur.
Kur ekipi i qytezës siguroi biletën për finalen në Durrës, gëzimi i tifozëve u përzie shpejt me një shqetësim të arsyeshëm. Shallet, flamujt dhe zërat e ngjirur nuk mjaftonin për një udhëtim jashtë kufijve të njohur, në një qytet ku emri i tyre nuk peshonte asgjë dhe ku gjaknxehtësia e stadiumit mund të sillte fërkime.
Zgjidhja u duk gati e vetvetishme: duhej të merrnin me vete Jovanin.
Njëri pas tjetrit iu afruan, me atë bindje të qetë se prania e tij do të shndërrohej në kalà mbrojtëse.
— Hajde, o Ivan, se me ty në krah nuk na prek njeri as me gisht! — iu lutën, thuajse me një besim fëminor.
, “Ivani i Tmerrshëm” i padiskutueshëm i një qyteze ku të gjithë shmangnin syrin e tij, e pranoi ftesën pa hezituar. Në sytë e shokëve, ai ishte mburoja e gjallë, garancia e pakundërshtueshme se çdo telash do të shuhej ende pa filluar.
Autobusi u nis mes këngëve, batutave dhe zhurmës së zakonshme të tifozëve. Jovani u ul në sediljen e parë, me gjoksin përpara dhe me tonin e një komandanti që jep udhëzime para një fushate të sigurt.
— Mos u shqetësoni fare! — u tha me mburrje. — Sa të shohin sytë e mi atje, do të rrinë të gjithë urtë si qengja!
Pastaj, kur i zgjatën një byrek, e shtyu tutje me dorë.
— Mos më jepni gjë, se stomaku më bën ca lojëra sot.
Të qeshurat shpërthyen nëpër sedilje. Të rrethuar nga siguria e tij, tifozët ndiheshin të pamposhtur.
Por Durrësi nuk e njohu këtë hierarki. Ndeshja përfundoi me humbje, dhe grupi u kthye nga stadiumi me zhgënjim të rëndë e me kokën ulur, duke përtypur hidhërimin e një rezultati të padëshiruar.
Në kthim, ndërsa të tjerët përpiqeshin të gëlltisnin amësinë e humbjes, Iovani vendosi të ringjallë zakonin e tij të vjetër. Sikur të mos kishte vënë re se kishte dalë jashtë horizontit të qytezës së tij, nisi të shante durrsakët me zë të lartë, me atë vetësiguri të pamatur që i kishte sjellë gjithmonë përfitim në shtëpi. Ishte i bindur se jehona e zërit të tij do të mjaftonte për t’i bërë të tjerët të ulnin kokën.
Kësaj radhe, llogaria doli gabim.
Nga turma u shkëput një burrë trupmadh, me një staturë dhe një pamje që nuk e linin bisedën te fjalët e kota.
— O ti! — i foli me qetësi të rëndë. — Pa thuaje edhe një herë atë që the!
Jovani u kthye. Për një çast, i tërë ai konstrukt i zërit të lartë dhe i sigurisë së shtirur u shemb brenda tij. Ngjyra i iku nga fytyra. Njeriu që në vendlindje nuk i lejonte askujt të përsëriste një fjalë, tani po kërkonte me sy një dalje të shpejtë e të padëmtuar.
Dhe, me një kthesë që mbeti gjatë në kujtesën e dëshmitarëve, iu drejtua burrit me një lutje të pazakontë:
— Aman, më qëllo ku të duash, por vetëm në stomak jo, se… DO TË NGELEM NË DORË, SE KAM PROBLEME!
Durrsaku nuk u ndal te hollësitë e gjendjes së tij.
Një e vetme, e fortë e e pastër, i ra në nofull. Stomakun bujarisht ja kurseu.
Jovani, “Ivani i Tmerrshëm” i qytezës pak çaste më parë, u plas sa gjatë e gjerë në shesh
Tifozët mbetën të ngrirë në vend. Mburoja e tyre kishte rënë që në goditjen e parë. Disa u afruan për ta ngritur, të tjerë mbetën pasivë, të hutuar nga shpejtësia me të cilën kishte mbaruar gjithçka. Ekspedita e “gangsterit” të qytezës kishte gjetur një fund që askush nuk e kishte parashikuar.
Rrugës së kthimit, autobusi kishte humbur zhurmën e nisjes. Jovani rrinte në heshtje. Nofulla i rëndonte nga dhimbja, por më e rëndë ishte çarja që i ishte hapur reputacionit. Ai që ishte nisur si mbrojtës i të gjithëve, tani po kthehej si personi që kishte më shumë nevojë për strehë.
Të nesërmen, në kafenenë e qendrës, Jovani kishte zënë një cep të qetë, me një peshqir ku fshihej akulli për të qetësuar nofullën. Përpiqej të kalonte pa u vënë re, por fjala udhëton më shpejt se autobusi. Në qytezë tashmë e dinin çdo detaj të mbrëmjes në Durrës.
Atëherë iu afrua Luli, një djalë i ri që deri dje nuk guxonte as t’i mbante sytë gjatë. Këtë herë, për habinë e të pranishmëve, nuk u mjaftua me një përshëndetje të fshehtë nga larg. U ndal pranë tavolinës dhe e pyeti me një buzëqeshje të hollë, ironike:
— Mirëmëngjes, Ivan! Si kalove në Durrës? Po stomaku, mirë e ke?
Disa tavolina kthyen kokën.
Jovani e vështroi të vrenjtur.
— Mos u merr me mua, Lul. Kam pasur ca probleme.
— E di, e di, — ia ktheu Luli pa e humbur ritmin. — Më thanë që durrsakët të kursyen stomakun. Po nofullën, pse nuk ua kërkove ta kursenin edhe atë?
Kafeneja shpërtheu në të qeshura të çliruara.
Jovani uli kokën mbi akull, duke u munduar të bënte sikur nuk dëgjonte. Por pas pak, pa mundur ta mbante më brenda, murmuriti aq ulët sa mezi u kap nga veshi:
— Shyqyr që nuk më goditi në stomak, se do të kisha dhënë lamtumirën…
DHE NDËRKAQ,LIDHËSET E KËPUCËVE DHE CELULARËT E QYTEZËS GJETËN PËRKOHËSISHT CA REHAT




