Shkruan Zef Ndreka
– Çfarë ka ndodhur me shtetin tonë që njerëzit që duhej ta mbronin, po përfundojnë duke u mbrojtur para drejtësisë?
Ka mbi 30 vjet që shteti shqiptar duket sikur është lëshuar pa duar. Ndryshojnë qeveritë, partitë, sloganet dhe emrat, por një pyetje ka mbetet gjithmonë e njëjtë:
Kush e mbron shtetin kur vetë institucionet që duhet ta mbrojnë përfundojnë nën akuzë?
Në burg po përfundojnë njëri pas tjetrit figura të niveleve më të larta të pushtetit, po preken struktura të rëndësishme të sigurisë dhe drejtimit të vendit, në hetime po përfshihen njerëz që kanë pasur në dorë vendimmarrje, informacione dhe mekanizmat e shtetit.
Kështu nuk mund të mjaftohemi e të ndalemi vetëm me pyetjen se ky individ ka gabuar!
Në të vertetë, çfarë po ndodh me shtetin shqiptar?
Sepse po shohim se posti i lartë shtetëror nuk është më garanci e integritetit institucional.
Në këtë rast, problemi nuk është vetëm juridik, por është problem i sigurisë kombëtare, i funksionimit të shtetit dhe i besimit të qytetarëve tek Republika e Shqipërisë.
Natyrshëm vjen pyetja:
Kujt i shërbehet kështu?
Shteti shqiptarë ashtu si çdo shtet tjetër serioz, nuk mund të lejojë që institucionet e tij të kthehen në terren ku përplasen interesa politike, ekonomike, kriminale apo personale. Shërbimi ndaj shtetit duhet të jetë mbi çdo individ, mbi çdo parti dhe mbi çdo pushtet.
Por në këtë rast, ka edhe një përgjegjësi tjetër, dhe ajo është përgjegjësia e popullit.
A po e kuptojmë çfarë do të thotë kur bien njëri pas tjetrit njerëz që kanë mbajtur poste kyçe?
A po e kuptojmë se një skandal i madh institucional nuk mbaron me arrestimin e një personi?
Mbase arrestimi mund të jetë drejtësi për një individ, por nuk është aspak shërim për shtetin.
Nëse një zv/kryeministër bie, kërkohet përgjegjësia e tij, po ashtu kur një ministër bie, hetohet përgjegjësia e tij.
Por kur preket drejtimi i institucioneve të sigurisë, atëherë poblemi është shumë më larg dhe shumë më i thellë.
Si u lejua dhe arriti të ndodhte kjo?
Sa thellë ka depërtuar problemi?
Të gjithë e dijmë se shteti nuk është një njeri, por është vetë sistemi, i cili kur dështon, nuk mjafton të mbyllen disa dosje me emra, por duhet të hapet dosja më e madhe që është dosja e përgjegjësisë institucionale.
Shqipëria nuk ka nevojë për spektakël politik, por për një shtet që di të mbrojë qytetariët, që di të mbrojë informacionin, di të mbrojë kufijtë, institucionet dhe interesin kombëtar.
Prandaj sot, shtrohet pyetja që duhet të na shqetësojë të gjithëve:
Çfarë ka ndodhur me shtetin tonë me njerëzit që duhej ta mbronin, po përfundojnë duke u mbrojtur para drejtësisë?
Pikërisht, kjo është pyetja që një shoqëria shqiptare duhet t’ia bëjë vetes dhe përgjigjja nuk mund të jetë as partiake, as propagandistike, pasi siguria e shtetit është vënë në pikëpyetje dhe kjo nuk është më çështje e pushtetit por çështje e gjithë Shqipërisë.



