Emërimi i Ermal Nufi në postin e Ministrit të Mbrojtjes ka rikthyer në vëmendje një sërë akuzash dhe dyshimesh për konflikt interesi, nepotizëm dhe favorizim në tendera publikë gjatë periudhës kur ai ushtronte funksione të rëndësishme pranë ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas një investigimi të publikuar më herët nga emisioni “Vetting”, Nufi, gjatë kohës që mbante postin e drejtorit të kabinetit të Ballukut dhe kryetarit të Bordit të ARRSH-së, dyshohet se ka favorizuar kompani të lidhura me familjarë dhe bashkëpunëtorë të afërt.
Në qendër të akuzave qëndron kompania “MARITIME LOGISTICS”, e themeluar në janar 2021 nga Edmir Nufi, vëllai i Ermal Nufit, së bashku me biznesmenin Hamz Islamaj dhe Olsi Korçën. Kompania kishte aktivitet në fushën e transportit të kontenierëve në Terminalin e Durrësit, por u mbyll vetëm një vit më vonë.
Sipas investigimit, Hamz Islamaj është pronar i kompanisë “BE-IS”, e cila rezulton të ketë përfituar dhjetëra milionë euro tendera publikë nga institucione si ARRSH, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në qershor 2022, Ermal Nufi u emërua kryetar i Bordit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa vetëm pak ditë më pas kompania “BE-IS” fitoi një tender me vlerë rreth 879 milionë lekë për mirëmbajtje rrugore.
Ekspertë të ekonomisë dhe juristë kanë ngritur dyshime se kompanitë e krijuara për periudha të shkurtra mund të jenë përdorur si “kompani njëpërdorimshe” për të përfituar tendera publikë dhe më pas për t’u likuiduar.
Avokati Arben Llangozi deklaroi më herët se rasti mund të përbëjë jo vetëm konflikt interesi dhe korrupsion, por edhe elementë të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Sipas tij:
“Këto janë vepra të rënda dhe duhet të hetohen nga SPAK, sepse kemi të bëjmë me vjedhje të buxhetit të shtetit.”
Në investigim përmenden gjithashtu lidhje të tjera mes drejtuesve të institucioneve publike dhe kompanive përfituese të tenderave, përfshirë edhe emra të lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Ermal Nufi lidhur me akuzat e ngritura në investigim.



