Dosja e SPAK për AKSHI-n: “Projekti 2 milion, ne e bëjmë 4” – Skema e manipulimit të kontratave publike nga Karçanaj dhe biznesmenët

0

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka zbardhur detaje nga dosja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku rezultojnë të përfshirë si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal drejtoresha e Përgjithshme, Mirlinda Karçanaj, zv.drejtoresha Hava Delibashi, biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Begiri, si dhe zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili.

Në argumentet e SPAK-theksohet se Karçanaj kishte njohje të drejtpërdrejta me Ermal Begirin, i cili është ortak i shoqërive tregtare që marrin pjesë në tenderat e AKSHI-t. Takimet e drejtoreshës së AKSHI-t janë konfirmuar përmes kamerave të instaluara në zyrën e Ergys Agasit.

Pamjet filmike të regjistruara në pajisjen “4-Smart Battery Camera” tregojnë se personat e përfshirë diskutonin edhe vlerat e kontratave publike dhe manipulimin e tyre. Në një prej bisedave përmenden shifra konkrete:

“Projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4” ose “nuk futet as në eksperiencë”.

Këto komente, sipas SPAK, nënkuptojnë përcaktimin e kritereve të procedurave të prokurimit, fondin limit të kontratave dhe mënyrën e përfitimit të paligjshëm nga operatorët e lidhur me zyrtarët e AKSHI-t.

Dosja tregon lidhje të ngushta midis zyrtarëve të AKSHI-t dhe operatorëve ekonomikë, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si institucionet dyshohet të jenë përdorur për përfitime të paligjshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu