Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar për deklaratat e bëra sot nga Drejtuesi i SPAK Altin Dumani.
Bardhi në reagimin e tij pyet drejtuesin e SPAK se me cilat parti politike ka qenë në kontakt dhe duke e akuzuar se SPAK ka qenë inekzistente në zgjedhje, duke u shndërruar nga shpresë në alibi për Edi Ramën. Ai ka hedhur akuza edhe për faktin që Belinda Balluku, Ceno Klosi apo Klevis Jahaj mbrohen nga SPAK.
Reagimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi
Me cilat parti politike ishin në kontakt ju z. Prokuror? Ku dhe si?
Nuk e di nëse vërtetë Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Altin Dumani e ka thënë apo jo këtë pohim në takimin off-records me gazetarët, por nëse nuk ka qenë një keqkuptim i medias, ai ka detyrimin të shpjegojë se me cilën parti politike ishte në kontakt. Me Partinë Socialiste për të intimiduar dhe shantazhuar opozitën?! Me Partinë Socialiste për të rakorduar kohën e kryerjes së krimeve zgjedhore dhe për të dhënë garanci për paprekshmëri?!
Si Drejtues Politik i qarkut Fier deklaroj me përgjegjësi të plotë që jo vetëm nuk jemi thirrur kurrë për kallëzimet tona, por SPAK ka qenë tërësisht inekzistent edhe pse qarku Fier, si qarku i dytë më i madh i vendit, ishte një skenë krimi elektoral çdo minutë.
SPAK ishte inekzistent kur Belinda Balluku bënte vota duke përdorur emrin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, si garanci tek ai, se asnjë nga 4 organizatat kriminale me aktivitet në qarkun Fier nuk do të prekeshin nga SPAK sa kohë PS do të ishte në Qeveri dhe z. Dumani në krye të SPAK. Ishte përdorim i emrit apo keqpërdorim i tij, këtë duhet të na e thotë z. Dumani, por rrethanat tregojnë që deri më sot Belinda Balluku është pajisur nga SPAK me certifikatë paprekshmërie, edhe pse është zyrtari i vetëm publik i kapur haptazi në afera korruptive.
SPAK ishte inekzistent edhe kur ne kallëzuam me fakte skemën e punësimeve elektorale të Belinda Ballukut në Fier, që përben korrupsion zgjedhor, kallëzim që nuk u hetua nga SPAK me argumentin absurd se nga ana jonë nuk ishte treguar burimi nga e kishim gjetur materialin, edhe pse ne nuk u thirrëm kurrë për t’u pyetur për këtë.
SPAK ishte inekzistent kur Policia e Shtetit me në krye Skënder Hitaj u shndërrua në një bandë elektorale që shantazhonte hapur kandidatët e PD, mbështetësit e opozitës dhe bizneset e zonës.
SPAK ishte inekzistent ku qindra punonjës të administratës publike të ardhur nga Tirana, braktisën detyrën shtetërore për 6 muaj rresht dhe pushtuan si terroristë elektoralë qarkun Fier, duke shpërndarë interesa e para, duke shantazhuar qytetarë e biznese.
SPAK ishte inekzistent kur Ceno Klosi apo Klevis Jahaj me paratë e korrupsionit të kryer në detyra shtetërore blinin vullnetin e qytetarëve, para syve të policisë e prokurorisë, në mes të ditës dhe pa asnjë hezitim.
Lista mund të vazhdojë më gjatë, por deklaratat e verës nga SPAK nuk meriotojnë më shumë vëmendje. Ashtu siç nuk meritojnë më shumë vëmendje qëndrimet fyese se SPAK ka parandaluar krimet zgjedhore. E kam thënë dhe e përsëris: Task Forca e SPAK ishte alibia perfekte e Edi Ramës për të realizuar skenarin e njohur edhe në raportin paraprak nga OSBE-ODIHR të shkrirjes së “partisë, shtetit dhe krimit” në një të vetme në zgjedhje! Shndërrimi i SPAK nga shpresë në alibi është lajmi më i keq që shqiptarët morën në zgjedhjet e 2025!