Vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar, konfirmoi Departamenti amerikan i Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
Ai nuk i komentoi raportimet e mediumit amerikan, Bloomberg, se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po përpiqet t’i bindë vendet e Ballkanit që t’i pranojnë emigrantët e dëbuar – kryesisht nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela – të cilëve u është hequr statusi i përkohshëm ligjor në SHBA.
Shtetet e Bashkuara, thuhet në përgjigje, nuk i komentojnë detajet e komunikimit diplomatik me shtetet e tjera, në kuadër të strategjisë për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.
“Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së emigrimit të paligjshëm dhe masiv”, theksoi Departamenti amerikan i Shtetit, duke shtuar se zbatimi i politikës së migracionit të administratës së presidentit Trump, është një nga prioritetet kryesore të tij.
“Largimi nga SHBA-ja i të huajve, për të cilët ekzistojnë urdhra përfundimtarë për dëbim, si dhe dëbimi i emigrantëve të paligjshëm, i mbron Shtetet e Bashkuara nga terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, thuhet në përgjigje.