Përgatiti: Albert Vataj
Filozofia e George Wilhelm Friedrich Hegel (27 gushti 1770 – 14 nëntor 1831) paraqet si një sistem logjik mendor aq i gjithanshëm, i thellë dhe në vetvete konsekuent, sa, për nga kjo gjithanshmëri sistematike dhe konsekuence mendore në historinë e filozofisë, nuk ka pothuaj as paraardhës as trashëgimtar. Ndaj kjo frymë që ai i ka dhënë mendimit filozofik i ka dhënë Hegelit statusin e “Aristotelit të kohës sonë”. Hegeli i jep shumë rëndësi sistematizimit, pikërisht për shkak se konsideronte se filozofia pa sistem nuk mund të ketë në vete asgjë shkencore-objektive dhe të domosdoshme, me çka një mendim i tillë josistematik, edhe i rastësishëm dhe subjektiv, filozofia do të ishte fryt joobligues, do të kishte vulën e karakterit kalimtar, do të paraqiste gjendjen e realitetit çfarë është në një moment të caktuar për ne dhe opinionin tonë, dhe jo si është për vete dhe në vetvete.
Hegeli pra është kulmi filozofik i frymës së përgjithshme kulturore të asaj kohe, që dëshiron të përfshijë dhe të interpretojë në mënyrë krijuese të gjitha fushat e praktikës dhe të teorisë, tërësinë e botës, të thelbit të saj dhe të shfaqurit të saj të pasur dhe të llojllojshëm. «Nuk ka -thotë Hegeli – qenësia e mbyllur e universumit në vete forcë e cila mund t’i bëjë rezistencë guximit të njohjes, ajo do të shkrihet patjetër para saj, do t’i tregojë thellësitë e veta dhe do t’i japë kënaqësisë». Dhe pavarësisht nga fakti se për Hegelin ideja ishte gjithmonë pozitë fillestare, e përgjithshme, ligj – çka, pra, sistemi i tij është shembull klasik i idealizmit objektiv – ndërtesa e tij e tërësishme grandioze filozofike është jashtëzakonisht e plotë dhe e pasur me material real, të gjallë, kështu që filozofia e tij shpesh ishte më reale sesa shumë koncepte «materialiste» ose «realiste».
Ndërkaq, idealizmi i Hegelit, kjo paraqitje platoniane e botës së ideve si themel i botës, kjo vendosje e nocioneve si themel dhe parim i amshueshëm i çdo ekzistence – njëkohësisht është bindje filozofike e pakufizuar. Kjo mbretëri ose ky sistem i nocioneve, qartas është tërësi unike; tek ai të gjitha nocionet e pjesërishme bashkohen në një nocion të vetëm, në të cilin të gjitha nocionet e mëparshme përmbahen si momente të thjeshta. Baza hyjnore e çdo gjëje ekzistuese është në mbretërinë e veçantë të gjitha nocioneve dhe një kuptim eternal, kuptimi i tërësishëm sundon mbi gjithçka. Në të është i fshehur çdo kuptim i veçantë, kurse ideja absolute e amshueshme ose mendja, është përmbajtje e përhershme që përshkon të gjitha fenomenet dhe shpreh vetë substancialitetin e botës: logosi është fundament, bazë dhe përmbajtje e qenies dhe sikurse qenia që nuk mund të jetë alogjike, irracionale, ashtu edhe logosi nuk mund të jetë ndryshe i strukturuar sesa që është vetë qenia: çdo gjë reale është e arsyeshme, çdo gjë e arsyeshme është reale («Was vernunftig ist das ist wirklich, und was wirklich ist, das ist vernunftig»). Mendja si sistem i të gjitha nocioneve është si mundësi e amshueshme, themel i çdo ekzistence të njëmendtë, kurse mendja jonë e vetëdijshme paraqet njohjen e kësaj mendjeje të amshueshme të paravetëdijshme. Në panlogjizmin e Hegelit edhe të gjitha fenomenet natyrore, janë vetëm paraqitje e nocionit, mirëpo këto në fushën e natyrës janë të pavetëdijshme, nuk e kuptojnë dhe nuk e përfytyrojnë këtë nocion të vet. Vetëm njeriu e përfytyron vetveten dhe veten e kupton në vetëdijen e vetvetes: vetëm ai është për veten njëkohësisht edhe subjekt edhe objekt. Fryma, pra, është nocion që e përfytyron veten, dhe së këtejmi në frymën nocioni – i cili në ekzistencat natyrore ishte i zhytur në ekzistencën materiale dhe humbi në të – erdhi në vetvete, fryma edhe nuk do të thotë diçka tjetër përveç «të jesh te vetvetja». Ndërsa në natyrë të gjitha momentet e idesë absolute janë në ekzistenca të panumërta, të cliat në fillim janë të huaja midis tyre, ishin të shpartalluara në hapësirë, në fryt ndërkaq ngjan mbledhja dhe bashkimi i të gjitha këtyre momenteve në një unitet të ri. Nga vetëjetërsimi i vet në natyrë nocioni, pra, në frymë përsëri i kthehet vetes. Kështu Hegeli mbylli rrethin dhe në këtë rreth përfshiu tërësinë e qenies. Skema ideore – e cila krejtësisht është e ndërtuar në formën e triadës së njohur dialektike: teza, antiteza dhe sinteza, të kësaj ndërmarrjeje të tërësishme grandioze të Hegelit, do të mund të paraqitej – në bazë të tematikës kryesore të Enciklopedisë së tij të shkencave filozofike si vijon: Logjika, Filozofia e natyrës, Filozofia e frymës.








