Papa: kur ndihemi të humbur, ta thërrasim dhe ta mirëpresim Jezusin

0

R.SH. – Vatikan

Vapa e padurueshme e verës, që e pushtoi për gati një muaj Romën, u rikthye edhe këtë të Dielë në Sheshin e Shën Pjetrit, në prag të Solemnitetit të Zojës së Ngjitur në Qiell, si të donte të merrte pjesë në lutje. Ashtu si qindra shtegtarë e besimtarë, të mbledhur përsëri me shumicë poshtë Ditares së Engjëllit. E Papa u kujtoi një nga mrekullitë e Jezusit,  e cila na bën të meditojmë: Zoti, natën, ecën mbi ujërat e liqenit të Galilesë, përballë dishepujve që po e kryejnë me vështirësi lundrimin në varkë (cfr 14,22-33) E pse e bën Krishti këtë gjest? – pyeti Papa – Ndoshta për ndonjë nevojë urgjente e të paparashikuar, për t’i ndihmuar të vetët, të bllokuar siç janë nga era e kundërt?

E pra është vetë Jezusi, që e ka programuar gjithçka, duke i bërë  të nisen në mbrëmje, madje – thotë teksti – “duke i detyruar” (krh 22).

Thua për t’u dhënë një dëshmi madhështie e fuqie? Po ai nuk bën gjëra të tilla. Atëhere pse e bën këtë? Pikërisht kësaj pyetjeje i gjegjet më pas Papa.

Një mesazh jo i lehtë për t’u kuptuar

Në vijim e shohim Jezusin duke i urdhëruar dishepujt të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër, derisa ta shpërndajë popullin. E, si e nis popullin, ngjitet në mal, për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ishte ende  aty, vetëm.

Pas ecjes mbi ujëra, fshihet një mesazh, që ne nuk mund ta kuptojmë aq lehtë! Në atë kohë hapësirat e mëdha të ujit konsideroheshin seli të forcave të liga, që nuk mund të sundoheshin nga njeriu; veçanërisht kur trazoheshin nga stuhia, humnerat ishin simbol i kaosit dhe të kujtonin errësirën e skëterrës:

“Tani dishepujt gjinden në mes të liqenit, në errësirë: me frikën e fundosjes, të humbjes në valët e së keqes. E këtu vjen Jezusi, duke ecur mbi ujë, pra mbi forcat e së keqes, dhe u thotë të vetëve: ‘Guxim, jam unë, mos kini frikë!’”.

E ky është kuptimi i shenjës: fuqitë e liga, të cilat na trembin dhe ne nuk jemi në gjendje t’i sundojmë, dridhen para Jezusit. E Ai, duke ecur mbi ujë, dëshiron të na përsërisë:

“Mos kini frikë, unë i vë nën thembër ‘armiqtë tuaj’, jo njerëzit! Nuk janë ata armiqtë, por vdekja, mëkati, djalli: këta armiq i shkel Ai për ne”.

Guxim, jam unë, mos kini frikë!

Sot Krishti i përsërit secilit prej nesh:

“Guxim, jam unë, mos kini frikë!”.

Guxim, pra, sepse jam këtu, sepse nuk je më vetëm në ujërat e trazuara të jetës. Atëhere, çfarë duhet të bëjmë kur gjindemi në det të hapur e në mëshirën e erërave të kundërta?

Ç’duhet të bëjmë, kur jemi vetëm në errësirë?

Çfarë duhet të bëjmë kur kemi frikë, kur shohim vetëm errësirë ​​dhe e ndjejmë veten të humbur? Dy gjëra, që i bëjnë edhe dishepujt në Ungjill: ta thërrasim Jezusin – dhe ta mirëpresim!

Ta thërrasim, që të mos fundosemi!

Pjetri ecën pak mbi ujë drejt Jezusit, por pastaj frikësohet, fundoset dhe nis e bërtet: “Zot, më shpëto!” (v. 30). Është e bukur kjo lutje, me të cilën shprehim sigurinë se Zoti mund të na shpëtojë, se Ai e mund të keqen dhe frikën tonë. Le ta përsërisim edhe ne, sidomos në kohë “stuhie”: Zot, më shpëto!

Dhe pastaj dishepujt e mirëpresin Jezusin në barkë. Teksti thotë se, sapo ai hipi në të, “era pushoi” (v. 32). Zoti e di se barka e jetës, ashtu si barka e Kishës, kërcënohet nga erërat e kundërta dhe se deti mbi të cilin lundrojmë, shpesh është i trazuar. Ai nuk na ruan nga lodhja e lundrimit, përkundrazi – e nënvizon Ungjilli – ai i shtyn të tijtë të nisen: domethënë na fton t’u bëjmë ballë vështirësive, që edhe ato të bëhen vende shpëtimi, mundësi për t’u takuar me Zotin.

“Ai vjen të na takojë pikërisht në çastet tona të errësirës, duke kërkuar që ta presim, si atë natë, në liqen”.

Ta pyesim, pra, veten – nënvizoi Papa duke u kujtuar si zakonisht besimtarëve vlerën e rrëmimit të ndërgjegjes: “Si të sillem në çaste frike? A të vazhdoj vetëm, me forcat e mia, apo t’i lutem Zotit? Dhe si është feja ime? A besoj se Krishti është më i fortë se dallgët dhe erërat e kundërta? E, sidomos: a lundroj me Të? A e mirëpres, a i bëj vend në barkën e jetës, a ia besoj timonin?

Një mori pyetjesh, për t’u medituar deri të dielën e ardhshme, njëherësh me fundin e  verës e ardhjen e vjeshtës së verdhë. Që përfundojnë në çdo takim të Engjëllit, me lutjen drejtuar Nënës, Marisë:

“Mari, yll i detit, na ndihmo të kërkojmë dritën e Jezusit në udhëtime të errëta”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu