Hakerat që sulmuan sistemet dixhitale të Shqipërisë, kanë publikuar informacion mjaft sensitiv, i cili përmban emrat e punonjësve të Shërbimit Informativ Shqiptar.
Databaza “bombë” e publikuar mbrëmjen e sotme, përmban emrat, pozicionin e punës dhe adresat e emaileve të punonjësve.
Lista përfshin drejtuesit e lartë, punonjës të kundërzbulimit, kundërspiunazhit, punonjës sigurie, punonjës të njësive sekrete, etj.
Publikimi i kësaj databaze është goditja më e rëndë ndaj shërbimit informativ, pasi ekspozon të gjithë punonjësit duke i nxjerrë identitetet e tyre dhe duke i lënë krejtësisht të zbuluar.
Pak kohë më parë hakerat publikuan të gjithë të dhënat personale të kreut të SHISH, Helidon Bendo, përfshirë të gjithë udhëtimet e tij jashtë vendit.
Po kështu, ata publikuan udhëtimet e kryeministrit Rama, që shkaktuan një furtunë në skenën politike, pasi u evidentua se kryeministri kishte fluturuar qindra herë me charter.
Qeveria ka mohuar gjithmonë që hakerat të kenë marrë informacione sensitive, por zbulimet e njëpasnjëshme të tyre, tregojnë se ata posedojnë informacion sekret dhe mjaft të dëmshëm për shtetin shqiptar.
Deri në këto momente, asnjë institucion nuk ka dhënë detaje për dëmin që ka shkaktuar sulmi dhe për masa që janë marrë pas kësaj goditje të rëndë.