Në e vraftë veten Ilir Meta, mos mbani zi, lutuni edhe për të tjerët

0

Kur këmbët i shtrinte majtas, duart i “futte” djathtas dhe kur këmbët i shpinte djathtas, duart i mbushte majtas, njëlloj si Gjin Gjonët e Kastriot Islamët që përdoren për kundërpesha, sa here anohet e rrezikohet të shëmbet Kështjella e Ligjeve.

Shkruan Sokol Pepushaj (pjesa e parë)

Është kryelajm, domethënë flamuri i gazetarisë shqiptare, Presidenti i Republikës Ilir Meta, edhe kur bën fotografi me qën, maçokë, dele, dhi, kuaj, gomarë apo sa here lajmëron se do të vrasë veten, nëse dikush guxon t’i thotë, ku e more gjithë këtë pasuri zotëri, apo edhe se duhet të filloni transparencën nga vetvetja, ju që qeverisni dhe dënoni me burgim të gjatë njerëzinë, për mospagesë fjala bie, të konsumit të ujit të pijshëm apo për dhampën e energjisë elektrike, me debi rreth 30 dollarë.

Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, i bëri thirrje rinisë shqiptare të ngrihet e të mbrojë fatet e veta, “o sot o kurrë”, sipas tij, nga hajdutët.

Po ku janë hajdutët?

Normalisht, në qeveri, presidencë, parlament, polici, ushtri, media, ku tjeter?!

Po ç’ndodhi, që bëri thirrje për revolucion kryetari i shtetit?

Asgjë prej gjëje, se kryelajmet janë zero me xhufkë, se thjeshtë, tashmë është bërë refren politik që hajduti i bën presion hajdutit të mos guxojë t’i prekë pronat e tij, pasuritë e tij, oazet politike dhe të pushtetit të tij, dhe në darkë, në debatet televizive lëshon “zagarët” në mbrojtje “të rinisë së tij” që e thërret kundër rinisë se hajdutëve jo të tij.

Pra, secili hajdut duket se çon gjënë e vjedhur në partinë e tij.

Dikur, e mbani mend apo jo, ky, Ilir Meta dora vetë, ka bërë fushatë me “një votë, një vend pune” .

Po lajmi kush është?

Lajmi është i sojit Selami Jenisheri, Myslim Murrizi, Jozefinë Topalli apo Fatmira Hajdari.

Meqë Fatmira ende i ka kartat me bojë të patharë nga akuzat e amerikanëve si hajdute e përmasave të rrezikshme, edhe me non-grata familjarisht, ta sheshojmë paksa këtë muhabet.

Jo se Fatmira ka vjedhur më shumë se të tjerët, larqoftë, as sa e 1000-ta e Ilir Metës, por se është njëra nga monstrat e kampionit të substances politike e shoqërore të 28 viteve të fundit, bëhet objekt i vëmëndjes sonë sot.

Fatmira është mesi i artë i audiencës së hajdutëve, të majtë e të djathtë.

Kur këmbët i shtrinte majtas, duart i “futte” djathtas dhe kur këmbët i shpinte djathtas, duart i mbushte majtas, njëlloj si Gjin Gjonët e Kastriot Islamët që përdoren për kundërpesha, sa here anohet e rrezikohet të shëmbet Kështjella e Ligjeve.

Normale, edhe gomarit, kur ja merr njëra anë e rrezikon t’i bjerë barra, fshatari i del hatasë përpara. I ngarkon një gurë në krahun tjetër dhe rrugën e bën deri në stan, ku e pret qeni duke lehur ëmbël nga gëzimi.

Sa herë shumica parlamentare ka rrezikuar të rrëzohet, pra, ja ka marrë njëra anë, shefi i madh i qeverisë, si me thënë fshatari i gomarit, ka ngarkuar në “samar” një Kastriot Islam apo një Myslim Murriz për kundërpeshë, dhe rruga ka shkuar deri në fund, aty ku mbaron mandati i Kuvendit, ku edhe rrinë gati me haber në ekran Aleksandrat apo Vjollcat që “lehin” me kujdes edhe kundër njëri-tjetrit, me hieroglife, si me thënë, mos ma kafsho Edi Ramën se ta çaj marmitën, apo mos guxo t’i afrohesh Sali Berishës se ta bëj shoshë kaptinën!

Por jemi në kohë brënda kohe.

Gjeologët nuk kanë nevojë të futen qindra metra nën tokë, por çojnë atje një tub, me një tip korone në majë, mbërthejnë e nxjerrin një kampion dhe e vëndosin në tavolinë, pastaj e kanë gjithë misterin e nëntokës aty.

Miniera e Trepçes për shëmbull, ka mbledhur e do të mbledhë diplomatë e kryetarë shtetesh rreth tavolinës së “punës”, vetëm për t’i zgjidhur fatin e lidhur nyjë, një tip kampioni, një tip minerali përzier me florinj.

Kjo puna e floririt nuk është fort e thjeshtë, paçka se Thesari i Shtetit Shqiptar, u grabit “thjeshtësisht”, për një natë.

Edhe këtu, si atij gomarit në rrugë fshati, si shpeshherë Parlamentit, ja mori ana Ilir Metës, ku po akuzohej nga gjithkush shqiptar si hajdut i Thesari të Shtetit në Krrabë.

Iliri gjeti një gomar dhe dy fshatarë.

Ilir Meta, i ndihmuar edhe nga Sali Berisha normalisht, gomarit i ngarkoi për kundërpeshë ca kilogram flori, kurse dy fshatarëve të Krrabës, Ahmet Hyka dhe Pëllumb Dalti që zbuluan kodet sekrete të tunelit dhe seleksionuan me profesionalizëm kallepët e floririt, lirat turke, napolonat, dhe lanë pa hapur e paprekur arkat me argjend, serm siç e njohin ata, u dhanë respekivisht gjashtë dhe 3.5 vite burg!

Pra, gomarit nuk ja merr ana as me Thesarin e Shtetit, se fshatar Skrapari është mjeshtri i babait të mushkut.

Po floriri ku shkoi?

Është aq e thjeshtë, sa nuk e di as shteti, as ish shteti, por e di gjithë njerëzia. Është kaq e thjeshtë, sa gjëagjëza, ku e çon fshatari gurin mbi samar kur kryen punë me të, apo ku shkojnë Kastriot Islamët e Myslim Murrizët, pasi mbarojnë mandatet parlamentet çalamane?!

Floririn Shqiptar, nuk mund ta çojnë në Panama dy fshatarë me gomar, edhe pse gjykatësi milioner Petrit Çomo, djali i Liri Belishovës, ish-udhëheqses komuniste, argumentoi në dosje se janë pesë fshatarë të Krrabës, Ahmet Hyka, Enver Hyka, Pëllumb Dalti, Arjan Bishqemi dhe Blerim Haka me një gomar tre vjeçar, që vodhën Thesarin e Shtetit dhe e kanë fshehur nuk dihet se ku.

Po një përgjigje duhet ta japë Presidenti i Republikës, pasi gjyqtari hajdut Çomo është në portë të burgut për vete, pasi këto ditë edhe SPAK-u duket ka avancuar në hetimin e vjedhjes së Thesari të Shtetit që e kërkon gjithë populli shqiptar, se janë shumë miliarda dollarë që u zhdukën e nuk u gjetën ende.

Fol njëherë o President për këtë çështje, se nuk ka shqiptar që nuk e kërkon këtë pasuri të tij, se nuk ka shqiptar që beson se pesë fshatarë me rroba të grisura dhe një gomarë tre vjeçar, pa përvojë në grabitje të tjera, kanë vjedhur miliarda dollarë dhe kanë ngritur fabrikë floriri në Panama, por që familjet e tyre sot, janë fukarenj, pa bukë goje.

Floriri nuk qënka problem, pikërisht se është problem, pikërisht se ja rritin apo ulin kursin femrat si Monika, ndaj të fortët e kësaj Bote, sillen rreth tij, qeshin rreth tij, zihen rreth tij dhe vriten rreth tij.

Në Trepçe, ka nisur trajtimi gradual i mundësisë së ndryshueshmërisë së pasurisë, qysh me Josip Broz Titon, ka vazhduar me Sllobodan Millosheviçin, pastaj është ushqyer me ca ngacmime me Ibrahim Rugovën, Vladimir Putinin, për të ardhur tek ca pazare të fëlliqura për nder të vërtetësisë, që përflitet se kanë shkuar deri në njëmbëdhjetë miliardë dollarë mes Edi Ramës, Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiçit, trios që është në modë të këtij Ballkani pa ballkon.

Liderët, sado të sertë duken, nuk janë robotë.

Mëndojnë edhe për zonjat e zonjushat.

Pra, do të bëhej nami, do të shpërthente floriri e dollari gjithandej, nëse nuk do të ndërhynin amerikanët për një zgjidhje pa pazare e pa përfitime personale, të lidershipit ballkanik.

Edhe sot, në “tavolinë” të lajmit, kemi një tip kampioni pasuror, një tip kampioni drejtësie dhe padrejtësie, kemi gruan e Azem Hajdarit, nënën e deputete Rudinës dhe të politikanit të ri Kiri.

Kështu e ka pagëzuar shtypi anadollak shqiptar, sa here drejtësia i drejtohet për transparencë në pasuri kësaj familjeje apo atyre të Ilir Metës, Sali Berishës, Edi Ramës apo Lulzim Bashës, se të tërë janë të pasur, shumë të pasur bile.

Pra, lexueshëm, guri në samar të gomarit, është për ta mbrojtur nga sekuestrimi dhe burgu, për t’i “plehëruar” rritjen e degëve politike familjeve mafioze, në këtë rast vajzës Rudina pro Edi Ramës, por edhe djalit Kiri krah Lulzim Bashës, pasi, siç e thamë, është mesi i artë i audiencës së hajdutëve të majtë e të djathtë, ose më shqeto, i bashkon të dyja polet në kuletë.

Po kuleta e Lulzim Bashës a është e fryrë?

Përveç Ilir Metës që është njësh në pasuri, Lulzim Basha është i veçantë në llojin e vet, do me thënë, në llojin e politikanit pasanik. Të tërë, përveç Bashës, erdhën pa kacidhe në xhep në politikë.

Berisha, Nano, Meta, Rama, e deri tek Pandi i vogël 5 milion dollarësh, së bashku, shto këtu pa frikë edhe gjithë ish kryeministrat e tjerë, nuk kishin pasuri sa Lulzim Basha i vetëm, para se ai të trokasë në derë të politikës.

Kur Luli trokiti tek dera e Berishës permes Argitës, ishte milioner. I kishte kapur milionat andej nga Hashim Thaçi, kur komandantët e UÇK-së sipas Carla Del Pontes, shisnin organe njërëzore, apo thernin, vrisnin e plaçkisnin shqiptarët, se ashtu ua kërkonte Dreqi, që përgatiste bijtë e vet të shtypin më vonë popujt e vet.

Edhe këtu, fatmirësisht, afër nesh janë Carla del Ponte, Martti Ahtisaari, Amerika, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte pranë Tribunalit të Hagës, se do kishim shumë më tepër viktima e shumë më tepër pasuri të vjedhura. (vijon…)/Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu