Ndërmendje për Skënder Drinin në 85- vjetorin e lindjes

0
Shkruan Zija Vukaj

Bashkudhëtarët e rrugës së jetës janë të paparashikueshëm. Ka që shfaqen e zhduken shpejt; ka që lindin para ose bashkë me ne dhe kur ikin na shkaktojnë plagë të thella. Bashkë me ta vdes edhe një pjesë e madhe e jona. Ka pastaj të tjerë që futen pa u ndjerë, pa na rënë në sy, bashkudhëtojnë me ne baltrave të pista apo rrugëve me diell, duke ngjyrosur edhe panoramën e ditëve tona dhe pa e kuptuar vjen një kohë që janë rritur në ne dhe ne jemi rritur në ta, duke u bërë pjesë e pandashme e sfondit tonë ekzistencial. Kush na i ka sjellë në rrymën e përditshmërisë sonë disa njerëz, që pastaj nuk hiqen më? Si janë kombinuar rrethanat e njohjes me ta? E pashpjegueshme. Thuajse një mister. Por ajo që mbetet, është rëndësia e madhe e tyre. Rrezatimi i gjatë dhe i pambarim që projektohet tek ne. Këto përsijatje më shkaktohen tani kur mendoj për Skënder Drinin. Dhe sa herë që mendoj për këtë njeri, përjetoj një ndjenjë krenarie, që e pata mik. E si çndodh rëndom me njerëzit e çmuar që të mungojnë, shfaqet në mua kompleksi i fajit për çfarë lashë pa bërë në nderimin dhe respektin e tij për së gjalli. Them me vete: kushdo që të ishte në vendintim, sado i kujdesshëm dhe i respektueshëm të ishte, prapëseprapë do të linte diçka mangut. Kjo përshtypje krijohet kur përfytyron shpirtin e tij të gjerë, altruizmin e tij të thellë, përkushtimin dhe devocionin për çdo problem të tjetrit, vëmendje maksimale për çdo qenie njerëzore sado e vogël qoftë dhe pastaj erudicionin olimpik dhe talentin e spikatur, që rrallë takohet përgjatë jetës sonë. Individë të tillë janë të rëndësishëm për brezat bashkëkohës dhe ata që vijnë. Kjo, sepse kanë ndërtuar modele artistike dhe njerëzore të spikatura; për vete kanë kaluar në përjetësi, kurse për kulturat e kombeve kanë vendosur stadet e larta të vlerave të vërteta.
Shumë është folur e shkruar për Skënder Drinin, kryesisht nga njerëzit e artit e të kulturës dhe fare pak e aspak nga njerëzit dhe strukturat e politikës. Kjo i bën edhe më nder figurës së tij. Me jetën dhe me vdekjen e tij ky artist i madh dhe njeri i vërtetë vulosi një pohim të përjetshëm, për të gjithë individët njerëzorë që udhëhiqen nga parimet e moralit dhe idealizmi: “Njeriu paska mundësi të jetojë dhe të vdesë pa u jargavitur e nënshtruar përballë meskiniteteve dhe intrigave të jetës, duke injoruar çdo joshje tokësore që kompromenton sadopak imazhin fisnik tënjeriut”. Dhe ky është një shembull tepër i rrallë, për të mos thënë i vetëm në përditshmërinë tonë. Për Skënder Drininsi artist flet vepra e tij. Natyrisht ai është nga romancierët më të rëndësishëm të letërsisë sonë dhe poi tillë është edhe në zhanrin e prozës së shkurtër si dhe në eseistikë e në shkrime të tjera publicistike. Mbase ky kalibër artisti tashmë jo vetëm është i rrallë, por thuajse mungon fare në letërsinë tonë. Statura të tillaintelektuale dhe artistike janë të paarritshme. Janë produkte gjeniale talenti, përpjekjesh e vullneti, që nuk përsëriten më. Por nga ana tjetër, kultura relativisht të vogla si e jona kanë nevojë më shumë se të mëdhatë për kampionë të tillë, që ndërtojnë identitete kulturore dhe skalitin profile etnike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu