Çdo pranverë kishim lajm. Kishim edhe drogë. Po këtë pranverë që nuk kemi asnjë lajm, a do të kemi a nuk do të kemi drogë? Ngjan se do kemi shumë drogë, sa mund të furnizojmë të gjithë Europën. Po është normale, sa më pak lajm, aq më shumë hashash. Heshtje unikale, prodhim unikal.
Shkruan Sokol Pepushaj
Edhe i shtrirë në shtratin e vdekjes, me nëntë plagë të rënda në shtat, si Gjergj Elez Alia, Sali Berisha do të merrte “Qytetarin digjital” e do të shkonte në mejdan, të ndeshet këtë pranverë me Balozin e Zi Edi Rama, që po i mbjellë plantacionet me drogë. Balozi jo vetëm po kultivon hashash, si kurrë më parë, por i ka “vrarë” edhe “trimat” e Partisë Demokratike dhe nuk ka asnjë shans t’i dalë ndokush përpara, as për ndeshje lokale, as kombëtare.
Berisha që njohim ne, Kostandin do të bëhej, do të ngrihej prej varrit e do shkonte ta gjente ku është e ku nuk është Albën, motrën e Taulant Ballës.
Do ta merrte Albën, jo me gjog si Kostandini Durontinën, por me smartphone, e do ta sillte në variantin e vet në fejsbuk.
Do të thoshte se Rilindja e ka mbjellur të gjithë Shqipërinë me drogë dhe se Albën e gjeti në bjeshkët e Mujit e të Halilit, në mes të hashashit.
Pastaj, doktori do të nxirrte nga smartphone Ervin Salianjin nëpër plantacionet e reja të lejtnanteve te Norieges, Artur dhe Ilir Bushit.
Ndërkohë, “qytetari digjital”, do të kalonte në smartphonin e Berishës, bash qytetin ku Balozi ka “shpellën” e vet, Vlorën.
Do të shikonim Kaninën, Nartën, Novoselën, Dukatin, Llakatundin, Panajanë, Vajzën, etj… veshur me “kostum” jeshil në këtë pranverë të bukur, ku edhe natyra është treguar zëmërgjërë, me klimë të shkëlqyer, të favorshme për drogë.
Kronikat digjitale do të lodronin përmbi Kutë, Ninesh, Cërrile e Gjerbës të Mallakastrës. Do bënin spektakël sekuencat me bimë të bukura, sipër fshatrave të zonës së Klosit, Krahinës së Macukullit, andej nga Shtatë liqenet e Lurës, Maleve të Balgjait afër Krujës e deri mes pyjeve të Qafë Malit, andej përmbi Fierzë.
Por nuk ka asnjë kronikë, asnjë lajm.
Këtë pranverë nuk ka as shtet, as “qytetar digjital”.
Qytetari digjital, çdo pranverë tjetër, na ka thënë se hashashi mbillet në tokë, që në fillim të marsit. Në fillim të prillit, rritet sa Erion Braçe, në fund të prillit shkon sa Erion Velija, në fillim-maj bëhet sa Taulant Balla dhe në fund-maj, hashashi ka gjatësinë e Edi Ramës.
Kështu ka thënë doktori, në secilën prej shtatë pranverave të fundit.
Në secilën pranverë, doktori ka lëshur “qytetarin digjital”, në terren, për lajm.
Çdo pranverë kishim lajm. Kishim edhe drogë.
Po këtë pranverë që nuk kemi asnjë lajm, a do të kemi a nuk do të kemi drogë?
Ngjan se do kemi shumë drogë, sa mund të furnizojmë të gjithë Europën.
Po është normale, sa më pak lajm, aq më shumë hashash.
Heshtje unikale, prodhim unikal.
Nuk ka si të jetë ndryshe. Droga ngjan se ka garanci të forta. Ka edhe garancinë e “qytetarit digjital”, që duam a nuk duam ne, eshtë paradoks
E vetmja shpresë do ishin opozita dhe “qytetari digjital”, pasi Balozi i Zi i Rilindjes nuk premton asgjë të mirë, se në vitin e fundit të mandatit të dytë po shkelë.
Balozi tashmë është i lodhur. I ka dalë mjekrra e po lëngon në shpellë. Është në fund të ciklit.
Para pak ditësh, si nëpër kllapi, foli për drogën. Tha se po “mëndohet thellë njëherë”, dhe, po përpiqet të gjejë modalitetet ligjore, që ta legalizojë.
E tha, dhe nuk e tha kot jo.
Se e ka mbushur gjithë Shqipërinë me drogë. Dhe izolimi i shqiptarëve nuk është kot.
Të gjithë kanë rënë dakord që të mos ketë lëvizje të asnjë këmbe njeriu, pa leje nga kryeministri. Si në kohën e Enverit, që duhej leje të shkonte dikush në mal apo në zonat me klon. Atëherë mund të kalonte kufirin ai dikushi, sot mund të zbulojë drogën e qeverisë.
Balozi i Surrelit e ndjen veten të sigurtë. Ka blerë legjendën, “qytetarin digjital”. I ka premtuar se do t’ja shëndoshë nëntë plagët. I është betuar në kokë të Ilirit, se nuk do ta pyesë Amerikën dhe nuk do të pranojë ta arrestojë, as atë, dhe asnjë nga familja e tij.
Kështu, Balozi i Surrelit, ka blerë edhe Lulin, Monikën, Metën Tit Vasilin, Edi Palokën, Fatmira Hajdarin, Enkelejd Alibeajn, e deri “kronikanin e Hashashit”, Ervin Salianjin.
E shikoni se si të gjitha ekranet hapen për ministrin e Turizmit dhe të Mjedisit Blendi Klosi?
Blendi, ka synimin final për të penguar turizmin këtë pranverë, gjoja se na kërcënon virusi.
Blendi, megjithëse ngjan si fudull, megjithëse fjalët i përtyp si dhia tagjinë, nuk është krejt qyp bosh.
Hynë tek “plakat” e politikës dhe ekonomisë.
Ashtu si nëpër dhëmbë, thotë se po, nusërohet edhe në pleqëri o njerëz.
Nuk do të shëtisim këtë vit nëpër male, se na merret fryma, se ka virus. Për lekë mos u shqetësoni, do kemi me shumicë, i zgjidh kryeministri ato punë.
Nuk është e re kjo retorika e Klosit jo.
Plakat e politikës dhe ekonomisë, nuk kanë lënë “nuse” deri sot të vëndosë unazë në gisht në këtë fshatin me emrin Shqipëri, pa e futur më parë në grackën e mëkatit.
O spiun, o kriminel, o hajdut. Sipas kësaj formule, secili është i kapshëm në faj, kurdo që të duan plakat e politikës.
Po mediat ku janë?
Të paktën duhet t’i belbëzonin këtij populli të izoluar në shtëpi, se pranvera është kohë hashashi.
Por jo, ngjan se hashashi nuk njihet fare në Shqipëri. Nuk njihet pasi nuk flet as “qytetari digjital” as opozita, as media.
Po cili është lajmi pra?
Janë dy lajme.
1-Pse ka heshtur “qytetyri digjital” këtë pranverë për drogën?!
2-Mos ndoshta këtë vit nuk do të ketë turizëm, vetëm se është plot e përplot Shqipëria me drogë?!/Pamfleti