Deri më tani BE kërkonte që të niste lufta ndaj korrupsionit, por me rëndësi shihet dhe sekuestrimi i pasurisë.
Bashkimi Europian ka paralajmëruar dje se reforma në drejtësi nuk do të sjellë vetëm hetime për zyrtarët e korruptuar. SPAK dhe Byroja e Hetimit do të ngrihen shumë shpejt dhe pritet që të nisin hetimet në nivele të larta. Por ndërkombëtarët kanë kërkuar dje që politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar të kthejnë pas të gjitha paratë që u kanë marrë qytetarëve.
Por kush rrezikon dhe si do shkohet aty?
Të rrezikuar janë së pari të gjithë zyrtarët që janë momentalisht në hetim.
Sipas ndryshimeve ligjore, në momentin dikush hetohet për korrupsion, automatikisht nis dhe hetimi pasuror.
Por me ngritjen e SPAK të prekur janë dhe të ngelurit në veting. Askush prej tyre nuk e justifikon pasurinë dhe sapo të nisin hetimet, pritet të ketë dhe sekuestrime pasurie.
Me ndryshimet që janë bërë në ligjin antimafia, hapet rruga e sekuestrimeve dhe për veprat penale të korrupsionit.
Me dërgimin e familjeve dhe parave të pista jashtë vendit, gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar po shtyjnë ditët, duke bërë pazaret e fundit, në pritje të radhës për t’u përballur me Vetingun dhe në pritje të hapave të parë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Edhe politikanët që janë të zhytur keqazi dhe hidhnin valle me vilat, apartamentet, rezidencat, lokalet, karburantet, pronat, trojet etj., produkt i parave të krimit dhe korrupsionit po përpërpëliten si mos më keq.
Për këto konfiskime duhet të mjaftojë vetëm fakti që ata nuk janë në gjendje të vërtetojnë që i kanë fituar këto pasuri në mënyrë të ligjshme, përmes rrogës apo mënyrave të tjera të rregullta. Pra nuk duhet të ketë nevojë për të vërtetuar korrupsionin, pasi është diçka shumë e vështirë për t’u vërtetuar, por vetëm fakti që dikush ka pasuri që kalojnë kaq shumë mundësitë e të ardhurave të tij duhet të mjaftojë për të konfiskuar këto prona e pasuri.