Sot, 200 vite nga lindja e gjeniut rus të letersisë

0
Shkruan Albert Vataj
Fjodor Dostojevski, vepra e tij është “overtura më e mirë për ekzistencializëm që është shkruar ndonjëherë”
Sot 200 vite më parë më 11 nëntor 1821 lindi në Moskë, Fjodor Dostojevski, shkrimtari, eseisti dhe filozofi rus, ai që solli në jetë kryeveprat e kolanës botërore të letërsisë, “Krimi dhe Ndëshkimi” “Vëllezërit Karamazov”. Sot 200 vite të shkuara lindi një prej shëmbëllimeve më të njimendta dhe përplotësuesi më i qenësishëm i shpirtit rus. Dostojevski ishte dhe mbeti e themelta e letërsisë botërore. Arti i mrekullueshëm që skaliti ai shpirt i telendisur në shtjellën e pamëshirshme të vuajtjeve të thella, mbeti përgjithnjë sintezë e marrëdhënies së krijuesit, me botëkuptimin, realitetin dhe lexuesin. Mëkimi i Dostojevskit është predikimi që kjo sprovë trazimesh rreket t’i qaset lexuesit si një doktrinë. Jeta e Fjodor Dostojevski, ishte dëshmi e vuajtjes dhe ngadhnjimit. Në moshën 15 vjeçare nëna i vdes nga tuberkulozi. dy vjet më pas vdes gjithashtu edhe i ati, një alkoolist i dhunshëm, për të cilin besohet se u vra nga shërbëtorët e tij. Gjithçka në këtë botë të pamëshirshme i është vënë përballë tij dhe ai si një gladiator zgjedh të ndeshet me penë e me zemër, me ide dhe me shpirt, ngulmues deri në fund, për të ngritur kultin e sfidantit si të heroit. Dhe këtë e bën përmes krejt situatave, personazheve, karaktereve, individit që e mbrun me shpirtin e tij, dhe e ushqen me gjakun rus.
Fatin e botës Dostojevski na e shpërfaq në prizmin e fatit të popullit rus. Madhështia e krijimtarisë së tij shfaqet në varësinë absolute të ndërsjellë, ku paraqiten ligjet metafizike të shpërfaqjes së njerëzimit dhe kombit. Prandaj edhe nuk gjendet asnjë lëvrim i jetës njerëzore, që mos ta gjente vendin e përshtatshëm në rrezatuesen e këtij kumti.
Ai u bë i famshëm për krijimin e “heroit të rrugës”, një protagonist i mohuar nga shoqëria dhe në kërkim të shpengimit. Në novelat e tij ai eksploron temat e mëkatit, moralitetit dhe shpengimit të njeriut modern.
Prodhimet letrare të Dostojevskit eksplorojnë psikologjinë njerëzore në kontekstin e turbullt politik, social dhe shpirtëror të shoqërisë ruse të shek. XIX. Dostojevski konsiderohet nga shumë si paraprijësi apo themeluesi i ekzistencializmit të shek të 20të; libri i tij Shënime nga Nëntoka (1864), I shkruar me zërin e hidhëruar të “njeriut anonim të nëntokës”, është quajtur nga Walter Kaufmann si “ overtura më e mirë për ekzistencializëm që është shkruar ndonjëherë”. Dostojekvski njihet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj dhe më me influencë në të gjitha kohërat.
Në vitin 1849 Dostojevski dhe kolegët e tij në rrethin radikal politiko-letrar “Petrashevski”, arrestohen dhe burgosen. Më pas dënohen me vdekje më 16 nëntor 1849. I gjithë grupi u detyrua që të qëndronte në të ftohtin e acartë në pritje të skuadrës së pushkatimit. Në minutën e fundit vendimi u anulua. Cari “Nicholas I”, duke i konsideruar grupe të tilla si subversive dhe dëmtuese për pushtetin e tij, i vendoste të burgosurit përpara një ekzekutimi ritual simbolik, më pas e anullonte vendimin në momentin e fundit si shenjë e mëshirës së tij për të dënuarit. Si rezultat, Dostojevski u burgos dhe u dënua me punë të rëndë për 4 vjet në një burg në Siberi dhe 4 vite të tjera me shërbim të detyruar në ushtrinë ruse. Vetëm pas 10 vjesh kthehet në Shën Peterburg. Fjodor Dostojevski është autori rus i shekullit të 19-të që ka shkruar novelat klasike si: “Krim dhe Dënim” (1866) dhe “Vëllezërit Karamazov” (1880). Dostojevski iu kthye jetes së shkrimtarit si profesion pas një karriere të shkurtër ushtarake, ku në vitin 1846 publikoi novelën e tij të parë “Njerëz të varfër”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu