Shansi i fillestarit…

0
Shkruan Zija Vukaj

Ky togfjalësh që po e vë si titull, pas pak do të më kthehet në mallkim nga psikovampiri “po… por…”, i cili nuk është kurrë dakord me mua. Është ai lexuesi fast food, që i ka të parafabrikuara të gjitha idetë, ashtu siç ka të parafabrikuar edhe kundërshtimin e përjetshëm ndaj meje dhe mospranimin e këndvështrimit tim mbi botën. Por kjo palo gjë s’është asgjë dhe desha të ngjall një diskutim me letrarë dhe joletrarë; me patriotë dhe me matriotë, që “e hanë barutin me torbë”, siç thotë Konica tek “Sarafovi”. Dhe diskutimin nuk do ta bëj akademik dhe as “DOG- matik” por në formën e një tryeze virtuale mes miqsh dhe “sarafovësh”, në formatin e pyetje- diskutimeve si:
-A janë më lart estetikisht shkrimtarët e sotëm se paraardhësit?
– A janë më të ndjeshëm?
– A janë më humanë?
– A janë më të lirë?
– A ka ndonjë mister stilistik “Procesi” i Kafkës, “I huaji”, i Camus, “Shkretëtira e tartarëve”, i Buzatit, “Këngëtarj tullace” e Joneskos etj. E di që të gjithë do të më këlthasin:”Ka, si nuk ka”.
– A ka ndonjë letrar të sotëm, mbi mesataren që nuk shkruan vepra me shkallë vështirësie stilistike si këto të veprave që përmenda?
Po cili është misteri i suksesit të tyre? Shumë doktorë dhe infermierë shkencash do të më përgjigjen: “Suksesi qëndron tek shansi i fillestarit. Si veza e Kolombit. Ai ishte i pari që e bëri” ose “Është magjia e së thjeshtës”, etj., etj., etj., dokrra hinit, objekte disertacoinesh.
Ndërsa unë mendoj se pa u fshehur tek shansi i fillestarit apo tek magjia e së thjeshtës, është tronditja e përditshmërisë, shkundja e mediokritetit, rroposja e zhumileve të neveritshme mbi të cilat ndërtohen shekujt dhe ithtarët e gënjeshtërt të tyre. Ky guxim për të rroposur krijoi Don Kishotin, Hamletin, Faustin, Zhan Valzhanin, Raskolnikovin, Jozef K. Lolitën, etj. Por mbi gjithçka, krijoi “Mbretin Lakuriq” të Andersenit, i cili është i pari në këtë lloj kalendari filozofiko- estetik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu