Një raketë komerciale e ripërdorshme kineze, “Hyperbola-2Y” (e koduar si SQX-2Y), përfundoi me sukses misionin e dytë të provës së fluturimit të dielën, që shënon ripërdorimin e parë të një rakete të tillë në vend.
Raketa, që përdor si karburant oksigjenin e lëngshëm/metanin, u nis më 5:07 pasdite sipas orës së Pekinit nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Jiuquan-it, dhe arriti një lartësi prej 343.12 metrash për 63.15 sekonda përpara uljes së qetë dhe të saktë.
Raketa, e krijuar nga Kompania e Teknologjisë Hapësinore “Interstellar Glory” e Pekinit, e njohur si “iSpace”, e përfundoi testin e vet të parë të ngritjes vertikale dhe të uljes vertikale më 2 nëntor.
foto: VCG
Ekipi i testimit më pas kreu mirëmbajtjen dhe provën e ripërdorimit brenda 20 ditëve për misionin e dytë të fluturimit radhazi.
Fluturimi i së dielës dëshmoi për aftësinë e ripërdorimit të shpejtë të raketës dhe siguroi nënmostra të tjera të të dhënave të fluturimit të sistemeve të ndryshme, gjë që ka hedhur themelin teknik që ky mjet lëshues të kryejë fluturime të tjera të ripërdorshme në mënyrë më efikase. Po ashtu, fluturimi garantoi verifikimin teknik kyç për zhvillimin e mjetit lëshues të ripërdorshëm me përmasë të mesme/të madhe “Hyperbola-3”, tha “iSpace”.
Kompania vuri në dukje gjithashtu se përfundimi i dy misioneve të njëpasnjëshme të ngritjes vertikale dhe të uljes vertikale nga e njëjta raketë nënkupton se është arritur një përparim i rëndësishëm lidhur me aftësitë teknike të ripërdorimit për mjetet e lëshimit me karburant të lëngshëm në industrinë hapësinore komerciale të Kinës.