Nën tingujt e pandemisë

0

Shkruan Zija Vukaj

Nga sepetet e mykura të leksikut u nxorën fjalët karantinë, pandemi etj. dhe si një e keqe e pashmangshme filluan të përdoren; në fillim me përtesë, pastaj ditë pas dite natyrshëm e gati me pëlqim, që nga njeriu i thjeshtë e deri tek rangjet më të larta të politikës e të medias. Dhe si fjalët veprat. Me përtesë, por nga imperativi i rrojtjes, njerëzit u rrasën në karantinë dhe filluan ta kundrojnë pandeminë të gjithë së bashku si spektatorët e një teatri të përbotshëm. Dhe teatri ka, ndër të tjera, magjinë e të shijuarit kolektiv të veprës.
A- ja e çdo spektatorit është konvencioni, marrëveshja apo kompromisi me vetveten se ajo që po ndodh në skenë është e vërtetë, e pranueshme, e ngrënshme. Kësisoj, si në shumicën e arteve, suprimohet koha dhe hapësira ose… ose… injorohet. Futemi në sagat skoceze dhe jetojmë me ankthet e Makbethit, vijmë në epokën postindustriale dhe zhytemi në botën e ofruar nga Beketi: e pranojmë edhe pa e njohur Godonë dhe futemi në petkun e Vladimirit dhe të Estragonit. E prapë jemi mirëkuptues. E pranojmë absurdin pa asnjë pengesë. Por një nga magjitë e teatrit është të qenët bashkë, brenda të njëjtit ambjent, brenda së njëjtës çati, brenda së njëjtës ndrymje apo izolim me shumë e shumë spektatorë që mbase nuk i njohim apo s’i kemi parë kurrë. Dhe jemi gati të qeshim apo të qajmë me fqinjin e panjohur të karriges në të majtë apo në të djathtë. E kjo krijon një shkrirje, një solidaritet apo edhe një ndarje mendimesh e pikëpamjesh në mënyrë të heshtur. Shpesh në historinë e artit dhe të përdorimit të tij nga politikat janë bërë eksperimente tronditëse. Janë kthyer në instrumente frymëzimi për turmat vepra kompozitorësh e filozofësh si Vivaldi, Paganini, Vagner, Niçe etj. E këto pastaj janë pasqyruar me mjeshtëri nga shkrimtarë si George Orwell, nëpërmes alkimisë së tij alegorike si tek “Ferma e kafshëve” apo “1984”. Tek ky i fundit (“1984”), Big Brother është diktatori i shtetit imagjinar Oqeania. Në shoqërinë që përshkruan Orwell çdo individ mbahet nën kontroll nga autoriteti i diçkaje imagjinare. Parudha “Vëllai i madh ju shikon” u kujton banorëve epërsinë e tij në shkallën hierarkike. Në roman nuk sqarohet kurrë a është person a simbol i krijuar. Kjo pyetje bëhet shpesh e nuk gjen përgjigje. Kur Winston Smith, protagonist, pyet O’Brein gjatë torturës nëse ekziston apo së paku “ekziston si unë”, ai i përgjigjet “Ti nuk ekziston”. Në librin imagjinar të rebelit Goldstein thuhet: “Askush nuk e ka parë ndonjëherë Big Brother-in. Me ndjesë të thellë për lodhjen që i shkaktova lexuesit, i cili i di këto gjëra, desha t’i kthehem pyetjes që bëhet përditë: “A do të ndryshojmë pas karantinës?”
Kjo pyetje pandemike po ha shumë kohë në meditimin e njerëzve, në emisionet televizive, në prononcimet me shkrim e me gojë nëpër rrjete sociale etj. Gati përnatë shohim te OPINION avazin e Fevziut nën kantilenën e shpifur të sondazhit popullor: “po… jo; po… jo 63% mendojnë kështu 37% ashtu; po… jo… na ndiqni… natën e mirë. Ca anal- istë po thoshin, po aty, se do të puthemi më pak ose aspak kur të takohemi pas pandemisë, se gjasme paskemi ndërruar zakon nën efektin çudibërës të karantinës, do t’i mbajmë duar nëpër xhepa më pak apo më shumë etj., etj., a thua se këto janë ndryshimet më thelbësore që solli hera.
Si qytetar i karantinuar, mendoj se një periudhë e tillë dhe një realitet thuajse absurd si ky ka sjellë që tani shumë risi. Së pari, njerëzit janë bërë më reflektues. Kjo edhe nga frika, edhe nga koha në dispozicion për t’iu kushtuar mendimit. Madje disa kanë filluar për herë të parë të lexojnë libra, ndërsa mjaft borgjezë “fisnikë” kanë filluar të kuptojnë për herë të parë përkohshmërinë e jetës dhe të pasurisë. Kam parë VIP-a në biçikleta dhe një demokraci frike gjithandej. Më kujtohet thënia se në botën e kapitalit nuk kemi kohë kurrë. Nuk kemi kohë të kujtojmë as nënën, as babën, as shokun as të varfrin, as njeriun vulnerabël, as… as… Andej të gjithë vrapojnë. Vrapojnë pas punës; vrapojnë pas parasë, vrapojnë pas pasurimit, pas famës, pas egos, pas modës, pas prepotencës, pas dukjes, vrapojnë, vrapojnë si amoku. Vrapojnë të etur deri në absurd. Vrapojnë deri në heroizmin e vrapimit. Tani këtyre vrapuesve u duhet qarë halli. Dhe kjo është një tjetër risi.
Duke shpresuar në mbarimin e kësaj periudhe, vihet re se edhe karshillëku klasor ka rënë, është zbehur, thuajse është shkërmoqur. Dhe sado e shkurtër në kohë, kjo rënie karshillëku është një mësim i vlefshëm.
Por një gjë që ka tingëllim negativ, deri në cinizëm, ka qenë gjatë kësaj periudhe qëndrimi i panjerëzishëm i gjithë shoqërisë që nuk është plakur akoma, me moshën e tretë, me të moshuarit apo me pleqtë. Asnjëherë nuk janë veçuar njerëzit e moshës së tretë si kësaj radhe. Kurrë nuk janë stigmatizuar kështu- si lebrozët. “Sot e kanë radhën ata, pensionistët”, “Vdiq një i moshuar 54 vjeç, 60 vjeç” etj. Njeriu që sot është i moshuar përjeton gati- gati ndjenjën e turpit dhe me vete thotë: “Më vjen turp që e kam këtë moshë!” Kemi parë selektime makabre në shërimin e njerëzve dhe zhdukje kontigjentesh të tëra të të moshuarve nëpër shtëpitë e pleqve në vendet e Evropës plakë. Ajo shprehja: “Bergamo- një qytet pa gjyshër” flet shumë. Brezat e rinj janë të favorizuar nga segmenti i ekzistencës së tyre aktuale dhe të privilegjuar e të lumtur qofshin. Por kam frikë se me neverinë që sot u shkaktojnë “të rinjve” njerëzit e moshuar, kur “këta të rinj” ta kalojnë moshën 50- vjeçare do të kapen nga hipokondria dhe do t’i drejtohen vetëvrasjes si rrugëdalje elegante. Asnjëherë nuk është parë një karshillëk më cinik ndaj të moshuarve se sa në kohët tona moderne. Duhet pranuar se ky është një cinizëm global i cili arriti pikun gjatë kësaj periudhe, duke zbuluar dehumanizmin e kohës. Njeriu i sotëm mburret se është i ri dhe turpërohet se është i moshuar, a thua se mosha është meritë individuale. Dhe pastaj teoritë e shpifura të konspiracionit gjetën terrenin më pjellor për t’u lindur e rritur dhe për të bërë me aspektin e tyre folklorik efekte të rënda psikozash.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu