Erdhi grupi i dytë i afganëve në Kosovë

0

Erdhi në Kosovë grupi i dytë i afganëve. Mediat kosovare shkruajnë se ende nuk dihet numri i këtij grupi. Ndërkohë, në Kosovë janë strehuar 111 afganë, 55 janë gra dhe fëmijë, kurse të tjerët janë burra.

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, pati deklaruar se rreth 2.000 shtetas afganë pritet të vijnë në Kosovë. Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka kapacitete teknike për strehimin e tyre.

“Strehimi i qytetarëve afganë nga Kosova është një vendim i drejtë, jo vetëm nga aspekti moral dhe humanitar që Kosova po e zgjatë dorën e ndihmës për njerëzit në nevojë në kohë të krizave, por gjithashtu rikonfirmohet pozicionimi strategjik i Kosovës karshi aleatëve të NATO-s”, thotë Balaj.

Javë më parë, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja. Autoritetet kosovare kanë thënë se sipas ligjeve, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm me kohëzgjatje deri në një vit.

Qindra afganë janë strehuar edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Shtetet e Bashkuara më 30 gusht e kanë përfunduar tërheqjen e plotë nga Afganistani pas 20 vjetësh të prezencës ushtarake atje. Vendi tashmë është nën kontrollin e talibanëve dhe shumë afganë e kanë të paqartë të ardhmen e tyre nën sundimin taliban.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu