Nga përfaqësimi simbolik, tek përfaqësimi politik.

0

Shkruan Zef Ndreka

– A mund të lindë një e djathtë e vërtetë nga ish-të përndjekurit politikë?
Krijimi i një partie të re politike nga Shoqata e të Përndjekurve Politikë është një zhvillim që meriton vëmendje, jo thjesht për faktin se shton një subjekt tjetër në skenën politike shqiptare, por mbi të gjitha për domethënien historike, morale dhe politike që mbart kjo nismë.
Në pamje të parë, mund të duket si një vendim i vonuar me më shumë se tri dekada. Por, duke parë mënyrën se si është trajtuar kjo shtresë gjatë 35 viteve të pluralizmit, lindja e një force politike që pretendon të përfaqësojë drejtpërdrejt interesat e saj është një zhvillim që nuk mund të shpërfillet.
Për vite me radhë, të përndjekurit politikë kanë qenë më shumë objekt i sjelljeve politike sesa subjekt i vendimmarrjes. Janë kujtuar në fushata, janë përmendur në përvjetorë, janë përdorur si dëshmi të së kaluarës komuniste dhe si argument moral në betejat mes partive. Por, kur ka ardhur puna tek zgjidhja konkrete e problemeve të tyre, politika ka treguar shumë më pak përgjegjësi.
Dëmshpërblimi financiar ka ecur me ritme të ngadalta, shpesh i pamjaftueshëm dhe i shoqëruar me burokraci. Çështja e pronave të konfiskuara, e trashëgimtarëve të ligjshëm dhe e kthimit apo kompensimit të tyre ka mbetur një nga plagët më të mëdha të tranzicionit shqiptar. Për shumë familje, padrejtësia nuk është vetëm kujtim historik, por një realitet që vazhdon të trashëgohet nga një brez tek tjetri.
Megjithatë, përgjegjësia për këtë dështim nuk mund ti atribuohet vetëm një partie apo një qeverie. Ajo shtrihet mbi të gjitha forcat politike që kanë qeverisur ose kanë pasur mundësi të ndikojnë në këtë proces.
Pluralizmi i vitit 1990 dhe paradoksi i së djathtës shqiptare.
Një nga problemet themelore të pluralizmit shqiptar ka qenë paqartësia ideologjike e partive politike. Në vitet e para të demokracisë, partitë u krijuan më shumë si rezultat i nevojës për t’u ndarë nga sistemi komunist sesa mbi bazën e alternativave të qarta ekonomike, sociale dhe filozofike.
Partia Demokratike lindi si një lëvizje e gjerë antikomuniste, me përbërje të ndryshme shoqërore dhe politike. Ajo u pozicionua në të djathtën shqiptare, por nuk arriti të ndërtojë në mënyrë të qëndrueshme një identitet ideologjik, institucional dhe programor të krahasueshëm me partitë konservatore apo liberale të demokracive perëndimore.
Këtu duhet bërë një dallim: origjina e një partie nga një lëvizje e gjerë qytetare nuk e përcakton automatikisht përkatësinë e saj ideologjike. E djathta nuk është thjesht antikomunizëm, as e majta nuk përcaktohet vetëm nga e kaluara e saj historike. Ato dallohen nga raporti që mbajnë me pronën, tregun, shtetin, liritë individuale, politikat sociale dhe përgjegjësinë publike.
Në Shqipëri, këto dallime shpesh janë zëvendësuar me përkatësinë partiake dhe me besnikërinë ndaj liderëve.
Kështu, edhe të përndjekurit politikë, të cilët natyrshëm duhej të ishin një ndër shtyllat morale dhe politike të së djathtës demokratike, përfunduan në një marrëdhënie varësie politike me partitë tradicionale.
Për shumë vite, ata u trajtuan si një kapital elektoral, ndërsa zëri i tyre i pavarur politik mbeti i dobët.
Kjo parti e re nuk duhet të jetë një tjetër instrument i së kaluarës.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e nismës së re.
Të përndjekurit politikë kanë një përvojë historike që nuk mund të zëvendësohet nga asnjë retorikë politike. Ata përfaqësojnë një pjesë të shoqërisë që ka paguar një çmim të jashtëzakonshëm për lirinë, pronën, bindjet dhe dinjitetin njerëzor.
Por kjo trashëgimi nuk duhet të kthehet në një monopol politik dhe as në një argument për të kërkuar privilegje të veçanta.
Një forcë e tillë duhet të mbështetet te drejtësia, barazia para ligjit, pronësia private, liritë individuale, demokracia parlamentare dhe respektimi i institucioneve.
Ajo duhet të kërkojë me vendosmëri përfundimin e proceseve të dëmshpërblimit, zgjidhjen e çështjeve të pronave dhe njohjen e plotë të padrejtësive të diktaturës. Por duhet të ketë edhe një program për Shqipërinë e sotme, për ekonominë, për arsimin, për shëndetësinë, për administratën, për integrimin europian dhe të ardhmen e brezave të rinj.
E kaluara duhet të jetë burim identiteti dhe përgjegjësie, jo i vetmi program politik.
Një parti që flet vetëm për plagët e së kaluarës rrezikon të mbetet një organizim i kufizuar në një kategori të caktuar votuesish. Ndërsa një parti që i shndërron këto përvoja në një platformë të gjerë për drejtësi dhe shtet të së drejtës mund të fitojë një rol shumë më të rëndësishëm.
A mund të ndryshojë kjo edhe ekuilibrat politikë?
Krijimi i kësaj partie mund të ndikojë edhe në rikonfigurimin e së djathtës shqiptare.
Për herë të parë pas shumë vitesh, mund të krijohet një hapësirë politike ku e djathta të mos identifikohet automatikisht me një individ, me një familje politike apo me një histori të caktuar drejtimi.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kushtet kur PD-ja ka vuajtur prej kohësh nga mungesa e pluralizmit të brendshëm, personalizimi i vendimmarrjes dhe pamundësia për të prodhuar një alternativë të re drejtuese.
Megjithatë, nuk duhet të krijojmë iluzione. Një parti e re nuk e zgjidh vetvetiu krizën e së djathtës. Madje, nëse nuk ndërton një profil të qartë, mund të përfundojë si një tjetër subjekt i vogël, i varur nga koalicionet dhe marrëveshjet elektorale.
Edhe ideja se kjo parti do ta shuajë betejën brenda llojit duhet parë me realizëm. Ajo mund ta dobësojë monopolin e përfaqësimit që ka pretenduar PD-ja, por nuk e zhduk automatikisht konkurrencën politike. Përkundrazi, mund të krijojë një garë të re për përfaqësimin e së djathtës.
Sfida e saj do të jetë të mos bëhet as shtojcë e PD-së, as instrument i ndonjë protagonisti të pakënaqur dhe as një parti që ekziston vetëm për të kundërshtuar Berishën.
Duhet të ketë identitetin, organizimin, drejtuesit dhe programin e vet.
Prova e vërtetë do të jetë besueshmëria.
Ka edhe një çështje tjetër thelbësore, kush do ta drejtojë këtë forcë politike?
Nuk mjafton të përfaqësosh një histori vuajtjesh për të fituar automatikisht të drejtën e përfaqësimit politik. Duhet të kesh njerëz me integritet, me formim, me përvojë dhe me aftësi për të administruar një organizim demokratik.
Duhet të shmanget përsëritja e gabimeve të partive ekzistuese, me kryetarë të përjetshëm, me vendimmarrje të përqendruara, me lista kandidatësh të kontrolluara nga një rreth i ngushtë dhe përdorim i anëtarësisë vetëm në kohë zgjedhjesh.
Nëse kjo parti do të kërkojë demokraci për Shqipërinë, duhet ta praktikojë atë fillimisht brenda vetes.
Mbi të gjitha, duhet të kuptojë se brezat e rinj nuk kanë nevojë vetëm të dëgjojnë për krimet e komunizmit. Ata kanë nevojë të kuptojnë pse prona, liria, pluralizmi, konkurrenca dhe shteti i së drejtës janë vlera që duhen mbrojtur çdo ditë.
Më mirë vonë se kurrë!
Së fundi, krijimi i një force të re politike nga të përndjekurit politikë mund të jetë një zhvillim me rëndësi për demokracinë shqiptare.
Por rëndësia e tij nuk qëndron vetëm te mundësia për të pasur një parti tjetër në parlament. Qëndron tek mundësia për të korrigjuar një deformim të gjatë të pluralizmit shqiptar, mungesën e një përfaqësimi të pavarur, autentik dhe ideologjikisht të qartë të së djathtës.
Shqipëria ka nevojë për një të majtë që të jetë realisht e majtë dhe për një të djathtë që të jetë realisht e djathtë. Ka nevojë për konkurrencë idesh, programesh dhe alternativash, jo për një betejë të pafundme mes liderëve që ndërrojnë pozicionet, por jo mënyrën e të bërit politikë.
Të përndjekurit politikë kanë të drejtën historike dhe morale të kërkojnë një zë të pavarur. Por ky zë duhet të jetë më i madh se vetë historia e tyre dhe të shndërrohet në një alternativë për të gjithë qytetarët.
Nuk kemi nevojë për një tjetër parti që të luftojë për një vend në tryezën e pushtetit. Kemi nevojë për një forcë që të luftojë për ndryshimin e vetë mënyrës se si ushtrohet pushteti.
Pas 35 vitesh tranzicion, ndoshta ka ardhur koha që e djathta shqiptare të çlirohet nga monopolizimi politik, nga nostalgjitë dhe nga varësia prej liderëve historikë.
Dhe në këtë kuptim, krijimi i kësaj partie mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt një pluralizmi më të shëndetshëm.
Më mirë vonë se kurrë, por këtë herë jo vetëm për të përfaqësuar të kaluarën, por për të ndërtuar të ardhmen!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu