Belinda Balluku keq fare/ GJKKO lejoi këqyrjen, 80 celularë e pajisje kompjuterike, dorëzohen për ekspertim në laboratorin e SPAK

0

Burime pranë këtij institucionit konfirmojnë për gazetaren Klodiana Lala se bëhet fjalë për 80 pajisje në total, pasi kanë dyshime të arsyeshme se mund të sigurojnë të dhëna të tjera kundër ish zëvendës kryeministres dhe ish ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila po hetohet për paracaktim të tenderave në vlera miliona euro.

Në kërkesën dërguar Gjykatës së Posaçme, prokurorët argumentojnë se këqyrja e pajisjeve duhet lejuar pasi kanë dyshime se ish zyrtarët e ministrisë dhe biznesmenët që i janë nënshtruar kontrollit, kanë komunikuar ndërmjet tyre për paracaktimin e tenderave.

Gjykata, pasi e shqyrtoi kërkesën, lejoi ekspertimin e pajisjeve dhe sipas ligjit brenda 40 ditësh duhet të përfundojë i gjithë procesi. Avokatët e personave të dyshuar, siç janë Erald Elezi, ish administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) apo Gentian Gjyli, ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) si dhe një grup biznesmenësh kanë mundësinë të kundërshtojnë gjyqësisht aktet.

Ndërkohë, Belinda Balluku pret shqyrtimin e rekursit nga Gjykata e Lartë, ku kundërshton masën e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Ndërsa, pritet t’i drejtohet kësaj gjykate me rekurs edhe për masën që mbeti në fuqi ndaj saj atë të pezullimit nga ushtrimi funksioneve.

Ish-numri dy i qeverisë është marrë zyrtarisht nën akuzë për paracaktimin e tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë si dhe është nën hetim edhe për 7 Lotet e Unazës së Madhe.

Pak javë më parë, socialistët, me votën e tyre në Kuvend, refuzuan t’i heqin imunitetin e deputetes ish zv kryeministres, duke mos lejuar SPAK që të veprojë me një masë më të ashpër sigurie.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu