Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka reaguar përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale lidhur me dhunën ndaj punonjësve të policisë gjatë protestës së Partisë Demokratike, ku sipas të dhënave zyrtare mbetën të lënduar 19 efektivë.
Në deklaratën e tij, Lamallari dënoi ashpër aktet e dhunës, duke i cilësuar si shkelje flagrante dhe të dënueshme të së drejtës për tubim paqësor. Ai shprehu mirënjohje për punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët, sipas tij, u përballën me situatën me vetëpërmbajtje, pavarësisht rrezikut për jetën.
Ministri theksoi gjithashtu solidaritetin me familjarët e efektivëve të lënduar, duke e përshkruar situatën si një “sulm të nxitur dhe të organizuar kriminal”.
Sipas informacioneve, 10 efektivë u paraqitën për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, ndërsa 9 të tjerë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ata u lënduan gjatë përplasjeve me protestuesit, ku pati hedhje molotovësh dhe fishekzjarrësh. Disa prej punonjësve pësuan djegie dhe dëmtime të shumta, ndërsa në pamje u panë edhe uniforma të përfshira nga flakët.
Autoritetet pritet të vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave përgjegjës.








