SPAK shton akuzat ndaj Belinda Ballukut: Grup të strukturuar kriminal, mbi 15 vite burg në lojë

0

Hajdutja zv/kryeministre Belinda Balluku ndodhet përballë zhvillimit më të rëndë penal që nga nisja e hetimeve ndaj saj. Prokuroria e Posaçme (SPAK) po shqyrton zyrtarisht ndryshimin e akuzave, duke kaluar nga shkelje e barazisë në tenderë drejt dyshimeve për veprimtari të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal – një kualifikim që e rëndon ndjeshëm pozitën penale të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Më 20 nëntor 2025, Balluku u mor e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë lidhur me procedurat e Tunelit të Llogarasë dhe u pezullua nga detyra. Kjo vepër penale, sipas Kodit Penal, parashikon dënim deri në 3 vite burg, ose deri në 5 vite në rast të pasojave të rënda financiare. Por hetimet e thelluara të SPAK kanë zbuluar elementë të rinj që e kanë ndryshuar rrënjësisht panoramën.

Në dhjetor, Prokuroria i kërkoi Kuvendit autorizim për arrestimin e Ballukut, duke paraqitur prova shtesë që lidhen me 7 lote të Unazës së Tiranës, si edhe me 3 tenderë dhe koncesione të tjera madhore, përfshirë rrugën Thumanë–Kashar. Burime pranë hetimit konfirmojnë se SPAK po analizon aplikimin e nenit 333/a të Kodit Penal, i cili flet për pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.

Sipas këtij neni, vetëm pjesëmarrja në një grup të tillë dënohet nga 5 deri në 10 vite burg. Nëse provohet se tenderët dhe koncesionet janë dhënë në funksion të këtij grupi, dënimi i përgjithshëm mund të kalojë 15 vite heqje lirie.

Në të njëjtën dosje janë marrë të pandehur edhe zyrtarë të lartë të sektorit të infrastrukturës dhe energjisë, përfshirë drejtues aktualë dhe ish-drejtues institucionesh kyçe, të gjithë në cilësinë e anëtarëve të Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave. Ky fakt përforcon dyshimet se nuk bëhet fjalë për shkelje të izoluara, por për një skemë të organizuar vendimmarrjeje dhe favorizimi.

Hetimet e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë përfshirë kontrolle të shumta në banesa, zyra dhe kompani private në disa qytete të vendit. Janë sekuestruar dokumente dhe materiale që lidhen me pasuri të dyshimta, transaksione financiare dhe marrëdhënie mes zyrtarëve publikë dhe biznesmenëve përfitues të tenderave shtetërorë.

Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me pasuri të paluajtshme në Tiranë, për të cilat dyshohet se janë përfituar përmes burimeve të pajustifikuara dhe në funksion të skemës së korrupsionit. SPAK po heton burimin e fondeve, mënyrën e pagesës dhe lidhjen e mundshme mes vendimeve publike dhe përfitimeve private.

Ndërkohë, Kuvendi ende nuk ka dhënë autorizimin për arrestimin e Ballukut, duke zvarritur procedurat përmes manovrave institucionale dhe procesit në Gjykatën Kushtetuese, e cila po shqyrton vetëm aspektin e pezullimit nga detyra dhe jo thelbin penal të çështjes. Megjithatë, burime pranë hetimit bëjnë me dije se SPAK nuk do të ndalet dhe pritet të formalizojë së shpejti ndryshimin e akuzës.

Nëse kjo ndodh, Belinda Balluku do të përballet me një nga dosjet më të rënda penale që ka pasur ndonjëherë një zv/kryeministër në detyrë në Shqipëri – një dosje që mund të shënojë një precedent të fortë në luftën kundër korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu