Shkruan Zef Ndreka
Kështu mund ta përmbledhim atë që u përshkrua sot në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës në Lezhë nga Kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu.
Ky plan, nuk mbetët vetëm një aksion pastrimi i qytetit apo i territorit të Bashkisë, por një tentativë e qartë për ndryshim kulture. Dhe kështu fitohen “revolucionet” e vërteta.
Përse mos ta themi troç?!
Problemi i mbetjeve në Lezhë, ashtu si edhe në Shqipëri nuk ka qenë mungesa e kamionëve, por mungesa e sjelljes së përbashkët. Prandaj fakti që po niset derë më derë, biznes më biznes, mbetët pika më e fortë e kësaj strategjie. Sepse kur përfshihet edhe qytetari, nuk mbetët më punë e bashkisë, por punë e lagjes së tij.
Për ta qartësuar qytetarin:
Çfarë e bën këtë nismë të fortë?
Së pari, organizim me rregull, jo spontanitet.
Orarë të përcaktuar dhe vende të caktuara që do të thotë disiplinë urbane.
Pa orar të përcaktuar, mbetjet bëhen gjithnjë kaos. Ndërsa me orar, pastrimi kthehet në sistem.
Së dyti, ndarja sipas llojit të mbetjeve, gjithnjë sipas ky standardit europian, të riciklueshme, të gjelbra, elektronike, mobilie.
Kjo është pikërisht ajo që mungonte në Lezhë, pasi nuk janë të gjitha mbetjet njësoj. Nëse do fillojë zbatimi, shumë shpejt Lezha kalon nga pastrimi në menaxhim modern.
Së treti, sensibilizimi para gjobave. Kështu zgjidhet rruga e edukimit, jo e ndëshkimit të menjëhershëm. Kjo rrugë krijon bashkëpunim, jo armiqësi me qytetarin.
Së katërti, ndërmarrja e vet bashkiake dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse ka më pak varësi nga privatët, ka më shumë kontroll dhe më shumë përgjegjësi direkte.
Shpresojmë që ky projekt do të funksionjë mirë, dhe të bëhet model për bashki të tjera në vend.
Ky “revolucion” i vërtetë arrihet kur do të respektohen oraret pas 3 muajsh fushate dhe sistemi të matet në vazhdimësi, kur të jenë pikat e grumbullimit të pastra, kur kontejnerët të mos jenë të tejmbushur sepse qytetari humb besimin dhe rikthehet tek hedhja pa rregull.
Revolucioni i vërtetë do të arrijë realisht ndarjen e mbetjeve duke mos përfunduar të bashkuar në kamion dhe ky do jetë testi i madh.
Ky revolucion përfshin turizmin, sepse Lezha është zonë turistike. Hotelet, restorantet, plazhet duhet të jenë pjesa më e disiplinuar e zinxhirit.
Ky projekt ka rëndësi përtej pastrimit dhe nuk lidhet vetëm me plehrat. Lidhet me shëndetin, me imazhin e qytetit, me turizmin dhe me edukimin e brezit të ri.
Lezha që do të menaxhojë mbetjet, tregon se di të menaxhojë veten.
Kështu, zbatimi me seriozitet, do ta ktheje Lezhën nga qytet me probleme mbetjesh, në shembull organizimi urban në veri të vendit.
Revolucioni i vërtetë nuk është kamioni, por është kur qytetari pranon se:
Kjo është përgjegjësia ime!



