Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, është paraqitur paraditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Burime zyrtare bëjnë me dije se paraqitja e saj në SPAK është kryer në zbatim të masës së sigurimit “detyrim paraqitje”, e caktuar më herët nga gjykata, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj saj.
Xoxa ndodhet nën hetim për disa vepra të rënda penale, mes tyre korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, i kryer në bashkëpunim në disa raste, pastrim parash, si edhe mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive dhe interesave private, sipas parashikimeve të Kodit Penal.
Hetimet ndaj saj janë pjesë e një dosjeje më të gjerë që po shqyrtohet nga SPAK, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi fazën aktuale të procedimit penal.
Sipas ligjit, çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të formës së prerë nga gjykata.



