Shkruan Hysni Gurra
Baton Haxhiu ka bërë një shkrim për “mbretëreshën”, siç e quan ai, Belinda Ballukun, në lidhje me akuzën e ngritur nga SPAK.
Titulli i shkrimit të tij është: “Drejtësia, gjeopolitika dhe një tunel Belinda – Rama – Prokurori Dritan”.
Që në hyrje kuptohet qasja e shtrembëruar e autorit dhe halli i tij i vërtetë.
“Nuk ka korrupsion, ka vetëm tejkalim procedure”
Në tekst, Batoni mundohet t’i shesë publikut idenë se në dosjen e prokurorit “nuk ka para dorë më dorë”, “nuk ka korrupsion”, dhe “nuk ka prova përfitimi personal”. Sipas tij, “është vetëm tejkalim procedure”.
Dhe menjëherë e kthen çështjen nga juridike në “konceptuale”:
“A është e barabartë çdo procedurë? A mund të trajtohet një tender strategjik si tender rrethrrotullimi?”
Pra, sipas Batonit, prokurori që heton Ballukun po “rrezikon shtetin” – logjika klasike e avokatëve të pushtetit.
Gënjeshtrat për Turqinë dhe “spitalin e Fierit”
Batoni kujton se Turqia na është gjendur në tërmetin e 2019 – deri këtu s’ka asgjë për t’u kundërshtuar. Por më pas e shtrembëron: thotë se “Turqia ndërtoi spitalin e Fierit”.
Kjo është gënjeshtër e pastër. Spitali i Fierit s’ka lidhje me tërmetin, por u ndërtua në kohë fushate elektorale, si pjesë e propagandës së qeverisë.
Me këtë, Batoni e trajton Turqinë dhe Erdoganin jo si një shtet serioz partner, por si ndonjë tregtar që të “ndihmon” në fatkeqësi për të të rrjepur më pas. Një logjikë fyese, si për Ankaranë, ashtu edhe për inteligjencën e publikut. Batoni e nxjerr Turqinë jo si një superfuqi rajonale e më gjerë, por si një shte primitiv. Liderin e saj, Erdoga , jo si një ndër më të rëndësishmit në rajon e më gjerë, por si një qelepirxhi të rëndomtë. Besoj do ket ndonjë rob nga ambasada turke që ta lexojë dhe t’i japë ndonjë përgjigje pretendimeve të Batos.
Nga Erdogan te inati personal i prokurorit
Batoni hidhet në degë të tjera: nga Erdogani, tek prokurori, që gjoja paska inate personale me Belindën. Kur e dinë të gjithë se motra e Belindës ka “dhënë OK për vettingun e tij”.
Sipas Batonit, prokurorin e “komandon” Arben Ahmetaj – po ai Ahmetaj që iku pikërisht sepse SPAK, që ka kaluar vettingun nga motra e Belindës, donte ta izolojë në qeli. Ironia është aq e madhe, sa edhe vetë Batoni s’e beson dot çfarë shkruan.
Halli i Batonit
Pastaj autori shkon më tej: nga Veliaj te ndonjë biznesmen që “s’e ka nënshtruar dot Belindën”, e deri te opozita që, sipas tij, paska ndikuar në këtë proces. Atëherë çfarë fshihet pas gjithë kësaj vorbulle?
Halli i Batonit është i thjeshtë: mbrojtja e “mbretëreshës” për të shpëtuar “mbretin”.
“Opozita dhe një pjesë e medias që mendojnë se rrëzimi i ‘mbretëreshës’ është hapi i fundit drejt rrëzimit të ‘mbretit’”, – shkruan Batoni.
Pra, sipas tij, Rama është mbret, Belinda mbretëresha – dhe drejtësia po guxon të prekë oborrin.
Bechtel Enka dhe mashtrimi me Amerikën
Batoni shkon edhe më tej: përzien Amerikën, Bechtel Enkën dhe Tunelin e Llogarasë, duke thënë se “vendimet ekonomike merren për shkak të aleancave”.
Mashtrim total. Kompania turke e implikuar në tunel nuk ka bërë asnjë ditë punë aty, ndërsa Bechtel Enka ndërtoi vetë rrugën e Kombit.
Por për Batonin, e rëndësishme s’është e vërteta – por të ngjallë tym, të krijojë dyshime, të lajë “mbretëreshën” dhe të vërë fajin te të tjerët.
Fundi i oborrit mediatik
Në fund të ditës, halli i Batonit nuk ka lidhje me drejtësinë apo me gjeopolitikën. Halli i tij është humbja e privilegjit për të qenë zëri që justifikon pushtetin. Sa herë që SPAK afrohet pranë oborrit të qeverisë, Batonit i ndizet alarmi – sepse shembet edhe kulla e propagandës ku ka jetuar kaq gjatë. Prandaj i shpall “mbretëresha” e “mbretër”, sikur të ishte zëdhënës i pallatit e jo gazetar.








