Shkruan Dr. Shefki Hysa
Unë dhe lulet
Unë i dua shumë lulet,
Unë jam Njeriu që i ujit lulet,
I ujit të rriten, të zbukurohen,
Nuk i këput,
U shërbej të aromatizojnë Botën,
Të vetëhijeshohen sa më gjatë.
Unë jam Njeriu,
Që edhe Lulja Mosmëprek
Nuk më druhet,
Siç ndodh kur i afrohen të tjerët.
Lulja Mosmëprek,
Rrudhet, tkurret, e vyshket sakaq,
Dhe të lë pershtypjen se plaket,
Plaket edhe prej një vështrimi syri,
Çuditërisht plaket në çast!…
Lulja Mosmëprek,
Që plaket
Edhe prej një dëshire prekjeje,
Përkundrazi,
Zbukurohet, zgjatet e përkëdhelet
Në duart e mia.
Dhe ndihet e lumtur,
Ndihet e lumturuar,
Ndoshta për faktin
Se Unë prek me zemër,
Nuk prek me duar.
Lulja Mosmëprek,
Plaket sakaq,
Ndoshta për faktin se i kanë munguar
Pikërisht prekjet me zemër,
Ndërkohë që duar barbare,
Thjesht e kanë vandalizuar.
Lulja Mosmëprek
Nuk tkurret nga Unë,
Siç bën Lulja e Livadhit,
Që nuk bën dallim prej meje,
Duke mos iu dhimbsur aspak,
Si të isha vetë terrori
I dhëmbëve të palodhur të deleve,
I putrave të ujqve
Dhe opingave të Bariut torollak.
Sidoqoftë,
Të gjitha lulet,
E pësofshin sa më pak
Prej duar vandalësh,
Kthetra e thundra grabitqarësh!…