Raportet greko-kroate nuk duken aspak të ngrohta pas ngjarjes së javës së shkuar në Athinë, ku një tifoz i AEK-ut u masakrua për vdekje nga grupi i huliganëve “Bad Blue Boys”, që mbështesin Dinamon e Zagrebit.
Pas arrestimit nga autoritetet greke të mbi 101 tifozëve kroatë, ka qenë Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, i cili ka shpërthyer në kritika të vazhdueshme ndaj Athinës zyrtare.
Milanoviç në reagimin e fundit mbi ngjarjen ku u vra Michalis Katsouri, ka thënë se autoritetet greke po i trajtojnë tifozët e Dinamo Zagrebit sikur të ishin robër lufte.
“Ligji nuk respektohet. Ata i trajtojnë këta njerëz si robër lufte. Po të isha kryeministër do të mendoja se çfarë mund të bëja. Nuk është e thjeshtë. Duket si ligji i luftës. Ata trajtohen si një njësi e robëruar”, theksoi Milanovic.
Sipas tij ky qëndrim nuk ka të bëjë fare me ligjin, demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
“U shpërndanë nëpër burgje për t’u rrahur e përdhunuar”, është shprehur më tej Presidenti kroat.
Ai ka nënvizuar se UEFA dhe Bashkimi Europian duhet të marrin masa për mënyrën si po vepron Greqia me tifozët kroatë.
“Keni pesë ditë kohë për të gjetur parazitët e një grupi njerëzish dhe shkoni i arrestoni të gjithë. I shpërndani në të gjithë Greqinë, që të dhunohen e përdhunohen. Perfekt, ky është Bashkimi Evropian. Nuk mund të mbash pesë ditë në burg 100 persona. Këto pesë ditë ju japin mundësinë të mësoni se çfarë ka ndodhur dhe përveç kësaj ata janë qenie njerëzore dhe qytetarët tanë kanë të drejta. Nuk ka të bëjë me demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut . Nëse ky është sot Bashkimi Evropian, më mirë të mos e kemi.”