Kosova dhe Serbia ishin pajtuar në maj të këtij viti për marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, por një gjë e atillë jo vetëm që nuk është zbatuar nga kjo e fundit, ajo madje është shkelur.
Serbia vazhdon ta shfrytëzojë kufirin për çështje politike, siç e ka bërë të hënën me këshilltaren politike të kryeministrit të Kosovës, Ardita Sinanin.
Sinani u ndalua dy herë brenda ditës së hënë, një herë gjatë ditës duke dalë, ndërsa në orët e vona edhe duke hyrë në Serbi.
“Mbrëmë rreth orës 21:00 në vendkalimin e njëjtë kufitar me Republikën e Kosovës, Muçibabë, përsëri u ndalova nga policia kufitare serbe. Për herë të dytë brenda të njëjtës ditë. Jo vetëm duke e lëshuar Serbinë, por edhe duke hyrë. Këtë herë periudha kohore ishte më e shkurtër se në orët e mëngjesit të djeshëm. Edhe kësaj radhe pa asnjë sqarim e arsyetim! Thjeshtë ndalesë!”, ka shkruar Sinani.
Tutje, ajo ka thënë se “kjo është Serbia me të cilën si shqiptarë të Luginës së Preshevës ballafaqohemi çdo ditë. Kjo është Serbia për pakicat kombëtare”.
Lidhur me ndalimin e Ardita Sinanin, ka folur analisti shqiptar në Preshevë, Refik Hasani, i cili thotë se Serbia instalon frikë, tmerr, pasiguri.
Sipas Hasanit, Serbia dëshiron që edhe ata shqiptarë që kanë mbetur të shpërngulen dhe të dëbohen nga trojet e tyre.
“Serbia, përmes bisedave informative instalon pasiguri dhe diskriminim Sot, Shërbimi sekret informativ i Serbisë, i quajtur e BIA në vendkalimin kufitar Serbi-Kosovë, Muçibabë në Preshevë, ndaloi dhe mbajti mbi 40 minuta, zonjën Ardita Sinanin, Nënkryetare e Partisë për Veprim Demokratik, ish-Kryetare e Komunës së Preshevës, dhe aktualisht është Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin KURTI. Ky është diskriminim i llojit të vetë, sepse duke vazhduar me avazin e vjetër si para viteve 1990-ta, pa kurrfarë shkasi dhe kështu instalojnë frikë, tmerr pasiguri dhe që ata shqiptarë që kanë mbetur të shpërngulen dhe të dëbohen nga trojet e tyre”, deklaron Hasani.
Tutje, synimi i Serbisë sipas Hasanit, është të nxisë tensione.
“Kur i shtojmë edhe ndalesa të ndryshme të mërgimtarëve, marrja në biseda të aktivistëve dhe veprimtarëve të ndryshëm. Kjo është një vazhdim i ndalesave të bisedave të ish- luftëtarëve të UÇPMB-ës, të figurave politike, të krijohet pasiguri për popullatën e kësaj krahine, synim Serbia ka të nxisë tensione. Kujtoj, po ashtu rastin ku në kufirin në mes të Kosovës e Serbisë, në Bërnjak më datën 27 korrik të muajit të kaluar, Kryetarin e Shoqatës ,,Kosova për Sanxhakun’’, Profesorin Ismet Azizit, Shërbimi sekret informativ i Serbisë, i quajtur BIA, e mori në bisedë informative, duke e ndaluar për tre orë në kufi, dhe parashtrimi i pyetjeve rreth aktivitetet të tij për dhe lidhur me Krahinën e Sanxhakut. Shërbimi i Serbisë, jo vetëm nënshtetasit e vetë i ndalon, por edhe nënshtetasit e Republikës së Kosovë i ndalon”, shton Hasani.
Për ndalimin e Sinanit ka pasur reagim edhe nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga zyrtarë tjerë, përfshirë deputetin shqiptar në kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi ka thënë se ky veprim është shkelje e rëndë e të drejtës themelore të lirisë së lëvizjes.
Kryeministri Kurti, ka kërkuar që Serbia të ndalojë diskriminimin me bazë etnike dhe shtypjen e të drejtave të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.
Ndërsa, Kamberi ka thënë se “meqë Bashkësia ndërkombëtare, përmes përkëdheljeve të vazhdueshme që po i bën regjimit aktual në Serbi, po i krijon hapësira që në vazhdimësi, ky regjim, duke përdorur mekanizmat shtetërorë, instrumentalizuar serbët gjithandej, të fusë Ballkanin në konflikte të reja”.