“Safe Journalists” publikon raportin/ Gazetarët po përballen me presione, legjislacioni nuk ofron garanci sigurie

0

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurtë në Ballkanin Perëndimor (Safe Journalists) ka publikuar raportin me treguesit e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në Shqipëri për vitin 2021.

Raporti përmend ndryshimet në kuadrin ligjor që i jep të drejtë çdo shtetasi, përfshirë edhe zyrtarët publikë, të bëjnë kallëzim penal kundër gazetarëve për shpifje, fyerje ose ndërhyrje në jetën e tyre private.

“Safe Journalists” raporton se gazetarët janë paditur kryesisht nga politikanë, biznesmenë dhe përfaqësues të institucioneve publike, gjë që i bën ata të shkojnë në autocensurë.

“Pjesa më e madhe e padive janë bërë nga politikanë, biznesmenë dhe përfaqësues të institucioneve publike. Nga analiza e vendimeve gjyqësore të viteve të kaluara evidentohet se gjobat ishin shumë të rënda dhe të kombinuara me kostot financiare për gazetarët, zvarritjet e procedurave, gjasat për të bërë padi penale, etj., mund të çojnë në autocensurë dhe minojnë lirinë e shprehjes, veçanërisht në rastet e gazetarëve profesionistë investigativë dhe kritikë”, thuhet në raport.

Më tej, përmenden edhe presionet dhe kërcënimet me të cilat përballen gazetarët.

“Gazetarët që kanë dëshirën për të punuar në gazetari profesionale, të pavarur dhe investigative përballen me presione dhe kërcënime që i pengojnë ata të ushtrojnë plotësisht profesionin e tyre. Në vitin 2021, disa institucione u përpoqën të kufizonin aksesin e gazetarëve në aktivitetet e tyre”, thekson rrjeti.

Përsa i përket kushteve të punës, deklarohet se “mbeten të pasigurta, veçanërisht për gazetarët e rinj, gazetaret femra dhe të pavarura dhe ata që punojnë në mediat lokale dhe portalet online.”

Raporti vë në pah mangësitë në legjislacionin shqiptar për sigurinë e gazetarëve.

“Legjislacioni shqiptar nuk ofron garanci dhe mekanizma të posaçëm mbrojtjeje për sigurinë fizike ose siguri të formave të tjera ndaj gazetarëve dhe aktorëve të tjerë të mediave që mund të jenë në rrezik. Në praktikat tona ligjore dhe institucionale, gazetarët mund të përfitojnë vetëm nga mekanizmi i përgjithshëm në fuqi, siç është mekanizmi i mbrojtjes së viktimave, mekanizëm që gjithsesi nuk është i përshtatur për nevojat dhe specifikat e sfidave me të cilat përballen gazetarët”, vëren rrjeti.

Safe Journalists” deklaron se pavarësisht ndërgjegjësimit në përgjithësi, agjencitë e zbatimit të ligjit nuk janë plotësisht të pajisura me njohuritë, kapacitetet dhe burimet për të hetuar sulmet dhe dhunën ndaj gazetarëve.

“Sulmet fizike kundër gazetarëve gjatë viteve të fundit mbeten ende të pazgjidhura dhe hetimet janë të ngadalta dhe joefikase. Transparenca në procesin e hetimit është e kufizuar edhe për shkak të sekretit hetimor. Zakonisht, këto procese marrin shumë kohë, janë të ngadalta dhe informacioni publik për to është i kufizuar.

Në legjislacionin shqiptar nuk jepet një përkufizim i plotë për ngacmimin, përfshirë edhe ngacmimin online. Kodi Penal parashikon mbrojtje vetëm ndaj ngacmimeve seksuale. Autoritetet shtetërore kanë njohuri, kompetenca, burime dhe procedura të kufizuara për mbrojtjen e gazetarëve nga ngacmimet online. Këto ngacmime janë veçanërisht shqetësuese për gazetaret femra”, thekson raporti.

Sipas gjetjeve, gazetarët dhe punonjësit e medias po përballen me presione dhe kërcënime.

“Kërcënimet ndaj jetës dhe sigurisë fizike të gazetarëve bëhen si në mënyrë të fshehtë ashtu edhe haptazi dhe pak raste janë raportuar për vitet 2020 dhe 2021 nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt dhe platforma të tjera ndërkombëtare për lirinë e medias. Megjithatë, raste të tilla nuk janë sistematike.

Në vitin 2021 janë regjistruar nëntë raste të sulmeve aktuale ndaj gazetarëve në Shqipëri, ndërsa në vitin 2020 janë regjistruar 9 raste. Megjithatë, shumica e rasteve në vitin 2020 kishin të bënin me ndalimin pa shkak nga Policia dhe pengesa të tjera ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë raportimit të protestave të drejtpërdrejta. Ndërsa në vitin 2021, sulmet aktuale lidhen më shumë me individë privatë.

Ajo që kërcënon sigurinë e gazetarëve janë kushtet e punës, mangësitë në zbatimin e Kodit të Punës, sfidat, veçanërisht ato gjinore, në sektorin e medias, shqetësimet e sigurisë dixhitale dhe fushatat dhe presionet e përgjithshme kundër mediave”, nënvizon raporti./ B.A. – CNA.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu