600 heronj të heshtur amerikanë e ruajnë Kosovën

0

Ushtarët amerikanë të KFOR-it thuajse kurrë nuk shihen duke bërë fanfara mburrje si kryeministri Kurti apo presidentja Osmani me dylbi snajperësh apo me drona. Por, një personel prej 600 trupash, kryesisht nga gardat kombëtare të Iowas dhe Georgias, janë dalazotësit kryesorë të integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Nga kampi ‘Nothing Hill’ në Leposaviq e deri në ‘Bondsteel’, afër Ferizajit, prania e tyre është deterrenti kryesor ndaj çdo agresioni potencial ndaj Kosovës. Por, kjo prani mund të mos jetë e tillë përgjithmonë, ose së paku kështu vijnë oguret e frikshme. Në Kosovë, prej pesë vitesh një parti politike, që e mbizotëron skenën, bën sherre të vazhdueshme me administrata demokratësh e republikanësh.

Shkruan Col Mehmeti

Evropa nuk mund të hamendësojë se prania ushtarake amerikane në kontinent “do të zgjasë përgjithmonë”.

Ky paralajmërim ka ardhur nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një konference të mbajtur të premten në Varshavë të Polonisë.

I pyetur nëse, si pjesë e bisedimeve me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara do ta shqyrtojnë opsionin për pakësimin e pranisë ushtarake në Evropën Lindore, apo edhe për të hequr praninë e përhershme nga Polonia, Sekretari i Mbrojtjes është përgjigjur se vendi i tij është “i përkushtuar për aleancën e NATO-s”.

Do të diskutohet prania në Evropë

Sidoqoftë, ai ka sugjeruar se prania e ardhshme ushtarake në Evropë do të diskutohet.

“Nivelet e trupave amerikane në kontinent janë të rëndësishme. Ajo çfarë do të ndodhë për pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet nga sot është pjesë e një diskutimi më të gjerë që pasqyron nivelin e kërcënimit, qëndrimin e Amerikës, dhe nevojat tona gjithandej botës”, ka thënë Hegseth.

“Kjo është arsyeja pse mesazhi jonë është kaq i fortë për aleatët tanë evropianë: tani është koha për të investuar. Sepse ju nuk mund të bëni hamendje se prania amerikane do të zgjasë përgjithnjë”, ka thënë ai.

Nga Bondsteel në Nothing Hill

Megjithëse postura populiste e qeverisë Kurti nuk e përmend fare, prania ushtarake amerikane është në të vërtetë garanca e parë dhe e fundit e sigurisë dhe ekzistencës së Kosovës.

Të stacionuar në kampin Bondsteel në afërsi të Ferizajt dhe në ‘Nothing Hill’ në afërsi të Leposaviqit, prania e tyre është një deterrent i shumëfishtë për çfarëdo rreziku ndaj integritetit territorial të Kosovës.

Kjo nuk zbehet as prej faktit që numri i tashpërtashëm i ushtarëve amerikanë është krejt modest në krahasim me sa ishte më parë.

Mbi 570 ushtarë të Shteteve të Bashkuara shërbejnë në radhët e KFOR-it, i cili marrë së bashku ka gjithsejt 4500 trupa në Kosovë.

Një mision që filloi prej mikut të shqiptarëve, Woodrow Wilson

Ky personal është pjesë e Gardës Kombëtare të ushtrisë amerikane —e mbiemërzuar shpesh edhe si ‘rezervë strategjike’, garda luan një rol të spikatur në operacionet e brendshme dhe ato të përtejdetit të shtetit më të fuqishëm ushtarak në botë.

Kësisoj, Garda Kombëtare është një përbërëse integrale e forcave ushtarake amerikane, që brenda vetes ka më shumë se 430 mijë ushtarë në gjendje për t’iu përgjigjur krizave të brendshme apo konflikteve përtejdetit.

Kjo gardë është unike në radhët e forcave amerikane në kuptimin që ajo kryen funksione shtetërore dhe federale.

Pos emergjencave në nivele shtetërore, madje edhe përdorimit të saj në rol ligjzbatues, presidenti amerikan mund t’i përdorë ‘gardistët’ për të shërbyer në misione jashtë vendit.

Edhe organizimi i Gardës është unik në vetëvete; ajo përbëhet nga Garda Nacionale e Ushtrisë dhe nga Garda Ajrore Nacionale.

Megjithëse vendosja e gardave nga shtete të ndryshme mund të varet nga misione e operacione të caktuara, toka e Kosovës i bën vend gardave të Iowas, Oklahomas, Georgias dhe Louisianas.

Vitin e kaluar, me rastin e një vizite në kampet amerikane në Kosovë, kreu i Byrosë së Gardës Nacionale Tony Whitehead, kishte vënë në dukje se ushtarët amerikanë janë “rezerva parësore e luftimit”.

“Garda Nacionale i ka shërbyer komunitetit tonë që prej viteve 1900 kur presidenti Woodrow Wilson vendosi që e vetmja mënyrë për ta ruajtur sigurinë në kufi ishte të aktivizoheshin njësitë e Gardës Kombëtare prej Teksasit, Arizonës dhe Meksikos së Re”, pati thënë Whitehead.

Nga ajri dhe toka në mbrojtje të Kosovës

Vitin e kaluar, në një shpalim madhështor të gatishmërisë së kontigjentit amerikan, si pjesë e një operacioni të KFOR-it, erdhën anëtarë të Charlie Company, Batalionit të Parë Sulmues të Helikopterëve si dhe Regjimentit të 244-të të Aviacionit.

Pjesë e operacionit ‘Joint Guardian’, i bërë nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara, ishte edhe një personel prej 100 ushtarësh nga Garda Kombëtare e Idahos.

Këta të fundit shërbejnë për transport ajror dhe kapacitete sulmuese ajrore me helikopterë UH-60M Black Hawk.

Si lidere të operacionit të madh të Aleancës ushtarake Veriatlantike (NATO), e cila e bombardoi për dy muaj e gjysmë ushtrinë jugosllave të Millosheviqit, Shtetet e Bashkuara kanë qenë hisedaret kryesore në misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë.

Më 1999, plot 7 mijë trupa amerikane ishin vendosur në Kosovë. Ky numër u tkurr në rreth 2500 në vitin 2004.

Tetë vjet më vonë, përkatësisht më 2012, më Kosovë kishin ngelur 1447 ushtarë amerikanë në kampet e Bondsteelit dhe Nothing Hillit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu