Shkruan Kim Mehmeti
Tirana është një xhungël betoni e asfalti. Ajo është shfytyruar dhe portretizon ata që nuk çmojnë as të shkuar, as të ardhme të popullit e vendit të vet, por që kryeqendrën e mëmëdheut tonë e kanë barazuar me një projekt të përkohshëm të një Organizate Joqeveritare e ku ti mund të besh çka të ta dojë qejfi, duke u pasuruar me fatura të rrejshme që t’i paguajnë donatorë të jashtëm e që ndodh të jenë edhe qarqe mafioze.
Pastaj Tirana tregon se shqiptaria përballet me dy mundësi: o mëmëdheun e tyre ta shndërrojnë në atë që e duan dhe ëndërrojnë, pra në një kopsht të bukur ose në atë të lënë në duart e “Rilindjes” e cila Shqipërinë e çon rrugës që të bëhet gropë septike ku do derdhen ujërat e zeza të mafias ballkanike dhe evropiane.
Kur e sheh njeriu Tiranën përballet me diçka të frikshme: me një qytet si ata të ndërtuar nga shpëlarës parash e nga mafia apo më butë thënë, si qytete arabe të ndërtuar në mes shkretëtirës e që shpërfaqin ambiciet e ndërtuesve të sapo dalë nga tendat e beduinëve, që nga pak i turpërohen të shkuarës së vet e që natyrshëm, kanë nevojë për ndërtesa sa më të larta, nga ata që nëpërmjet makinave të shtrenjta dhe lartësisë së pallateve që ngrenë, tregojnë se janë si e gjithë bota.
Pra kur sheh njeriu Tiranën ka përshtypjen se bëhet fjalë për kryeqendrën e një populli që nuk ka të shkuar, por që sapo ka dalë nga tenda apo shpella e që tani vuan vetëm për beton e pallate që të çojnë lart e më lart drejt qiellit, por që të largojnë nga toka së cilës i takon dhe e cila të ka ushqyer e të ka bërë ky që je.
Tiranës i është rrënuar thuajse e gjithë e shkuara nga rrënuesit e “Rilindjes”, që nuk e kanë kuptuar se ngrehinat e moçme nuk janë vetëm mure, por nënshkrim mbi tokë i ndërtuesve të tyre, gjurmë të lëna nga paraardhësit tanë e nëpërmjet të cilave mund të dëshmojmë se nuk jemi trung pa rrënjë.