Nxehet debati për hetimin ndërkombëtar mbi origjinën e COVID-19

0

Ambasada e Kinës në Amerikë:

Në të paktën pesë shtete amerikane, ka pasur raste infeksionesh para se të njoftohej rasti i parë në SHBA

Debati lidhur me origjinën e “lindjes” së koronavirusit vazhdon të jetë një temë e nxehtë në këtë periudhe kur variante të ndryshme mbajnë të mbërthyer e në tension gjithë globin.

Ambasada kineze në Shtetet e Bashkuara në një deklaratë të shtunën tha se Kina e kundërshton me forcë raportin e publikuar nga agjencitë amerikane të zbulimit mbi gjurmimin e origjinës së COVID-19. Në këtë raport, Kina akuzohet për “pengimin e hetimeve ndërkombëtare” dhe “mospranimin e ndarjes së informacionit dhe fajësimin e vendeve të tjera”.

Presidenti amerikan Joe Biden u kishte dhënë agjencive të zbulimit 90 ditë kohë për të hetuar lidhur me origjinën e COVID-19. Raporti u paraqit për publikun të premten përmes një përmbledhjeje jopërfundimtare, të paklasifikuar.

Raporti i hartuar nga agjencitë amerikane të zbulimit nuk ka bazë shkencore e besueshmëri, thuhet në deklaratën e ambasadës së Kinës në Uashington, duke shtuar se gjurmimi i virusit të COVID-19 është një çështje komplekse shkencore që duhet të bëhet vetëm nga shkencëtarët.

Në deklaratë përsëritet se Kina ka mbajtur një qëndrim të hapur, transparent dhe të përgjegjshëm që nga shpërthimi i COVID-19, duke publikuar informacion, duke ndarë renditjen e gjenomit të virusit dhe duke kryer bashkëpunim ndërkombëtar për të luftuar sëmundjen, të gjitha këto në kohën më të hershme të mundshme.

“Ne ishim të parët që bashkëpunuam me OBSh-në për gjurmimin e origjinës globale dhe kemi ftuar ekspertët e OBSh-së që të kryejnë hetime dy herë në Kinë.

Ne ishim plotësisht të hapur, transparentë dhe bashkëpunues kur ekspertët ishin në Kinë. Ata vizituan çdo vend që kishin në listë për të vizituar, takuan çdo individ që kërkuan të takonin dhe morën të gjitha të dhënat që dëshironin,” thuhet në deklaratë.

Nga ana tjetër, Kina i kthen reston SHBA-ve kur thotë se në të paktën pesë shtete amerikane, ka pasur raste infeksionesh para se të njoftohej rasti i parë në ShBA.

Dhe në këtë pikë vjen kundërpërgjigjja në formë sugjerimi, e Kinës: “Nëse ShBA-ja këmbëngul në teorinë e daljes nga laboratori, a nuk duhet të ftojë ekspertë të OBSh-së në ‘Fort-Detrik’ dhe Universitetin e Karolinës së Veriut për hetim?”, pyetet në deklaratë. Bëhet fjalë për laboratorin në Maryland dhe atë në Karolinën e Veriut, ku në media janë hedhur dyshime për kërkimet që bëhen në to.

Ambasada i bëri thirrje ShBA-së të zbulojë së pari se çfarë ka ndodhur në laboratorët amerikanë, në vend që “të hedhë baltë mbi të tjerët”.

Deklarata vë në dukje se faza e dytë e studimit të origjinës së koronavirusit duhet të jetë një zgjerim gjithëpërfshirës i fazës së parë dhe duhet kryer në shumë vende për të gjetur të vërtetën

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu